NLB Banka dhe Marigona Tower nënshkruajnë marrëveshje financimi për projekte të mëdha biznesore
Foto:Laura Hasani

NLB Banka dhe Marigona Tower nënshkruajnë marrëveshje financimi për projekte të mëdha biznesore

Ekonomia October 30, 2020 - 11:59

Në një konferencë për medie, NLB Banka dhe Marigona Tower kanë nënshkruar një marrëveshje të financimit për projektin ndërtimor të hotelit “Courtyard by Marriott” dhe qendrës së biznesit “Marigona Tower Business Hub”.

Aksionari në “Marigona Tower”, Valton Bilalli, foli për investimin, i cili pritet të bëhet në kryeqytet me nënshkrimin e kësaj kontrate.

“Jemi këtu për nënshkrimin e financimit të hotelit më të ri në kryeqytet ‘Courtyard by Marriott’. Jemi në hapësirat e hotelit, është hoteli i parë i brenduar në Kosovë, me gjithsej 87 dhoma, hapësira të SPA-së dhe rekreacione të tjera. Faleminderit zyrtarëve të NLB Bankës për bashkëpunimin. Vlera e kontratës është shumë e madhe, investimi është afërsisht 26 milionë euro për hotelin në qytet”, tha Bilalli.

Po ashtu Bilalli njoftoi se 10 katet e para të këtij hoteli do të jenë dhoma hoteli, ndërsa 14 katet e tjera zyre të standardeve A+.

“Ky është projekti i parë në Kosovë që mund të ofrojë shërbime për të gjithë ata që janë të interesuar për zyre kualitative. Financimi nga NBL Banka është në vlerë prej 16.5 milionë eurove, që i bie të jetë financimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë”, theksoi ai.

Bilalli shtoi se pas këtij bashkëpunimi pritet të nënshkruhet një tjetër kontratë, në vlerë edhe më të madhe se kjo e tanishmja. “Ky hotel, i cili do të ndërtohet në kryeqytet, do t’i punësojë mbi 300 punëtorë. Në këtë kohë më të vështirë ekonomisë kosovare kjo shpresojmë të ndihmojë sadopak në zbutjen e nivelit të papunësisë në vend”, theksoi Bilalli.

Kryetari i Bordit Udhëheqës të bankës NLB, Albert Lumezi, tha se ka kënaqësinë e veçantë të mbështesë investimin në këtë hotel.

“NLB Banka është njëra ndër bankat më aktive në treg sa i përket financimit të projekteve investive dhe kapitale. Kemi eksperiencë në këtë drejtim. Ne si NLB Group kemi kënaqësinë e veçantë të mbështesim investimin në këtë hotel. Konsiderojmë që fokusi ynë është gjithmonë në përmbushjen e kërkesave të klientëve tanë”, theksoi kryetari i Bordit Udhëheqës së NLB Bankës, Albert Lumezi.

I kënaqur me këtë bashkëpunim është edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të NLB Bankës, Andreas Burkhardt.

“Kosova është një treg shumë i mirë për investim dhe NLB Banka është një prej bankave më të suksesshme, sidomos në këtë kohë, që nuk është fare lehtë t’i mbështesim klientët”, theksoi Burkhardti.

Ai ka uruar drejtuesit e qendrës së biznesit “Marigona Tower Business Hub” për investimin. /Zëri

 

Image