Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
Pandemia ua vë drynin mbi 750 bizneseve

Pandemia ua vë drynin mbi 750 bizneseve

Ekonomia October 22, 2020 - 16:41

Gjatë kohës së pandemisë COVID-19, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, janë mbyllur 761 biznese të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë në Kosovë.

Numri më i madh i bizneseve zyrtarisht të mbyllura kanë punuar në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë, pasuar nga industria përpunuese, hoteleria dhe akomodimi.

Në listën e bizneseve të mbyllura figurojnë edhe biznese në fushën e ndërtimit, informimit dhe komunikimit dhe sektorë të tjerë.

Gjokaj: U mbyllëm për t'u hapur, por nuk arritëm

Një nga bizneset e mbyllura në sektorin e gastronomisë është ai i Emanuel Gjokajt. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Gjokaj thotë se ka qenë e pamundur të mbajë të hapur biznesin, pasi që kishte rënë qarkullimi.

Ai shton se lokali frekuentohej më së shumti nga punëtorët e organizatave të huaja që ishin me zyre afër lokalit, dhe këta punëtorë filluan të punojnë nga shtëpia, në këtë mënyrë edhe kërkesat për ushqim shënuan rënie.

“Kemi pasur një ‘Sandwich Bar’, ka qenë lokacioni i dytë që kishim hapur në shkurt të këtij viti. Por, në mars kur u përballëm me pandeminë dhe u bë mbyllja totale, ne u mbyllëm përkohësisht. Kemi filluar të punojmë pastaj në qershor, kur është bërë hapja e gastronomisë, por ishte e papërballueshme, kemi punuar me humbje dhe e kemi parë që nuk mund të vazhdojmë me atë ritëm dhe është dashur të bëhet mbyllje e përkohshme”, thotë Gjokaj.

Gjokaj thotë se mbylljen e lokalit e kishte menduar fillimisht të jetë përkohësisht, por siç thotë ai, me këtë situatë e cila po vazhdon me pandeminë, nuk ka shumë shpresë që lokali të rihapet.

Krasniqi: Numri i bizneseve të mbyllura, më shumë se 761

Por, numri i bizneseve të mbyllura po konsiderohet të jetë më i lartë nga Oda e Afarizmit të Kosovës. Skender Krasniqi, drejtor në këtë organizate, thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha bizneset të cilat kanë shuar aktivitetin e tyre gjatë pandemisë, kanë filluar procedurat e mbylljes.

“Procedurat e mbylljes së biznesit janë të shumta dhe shumica e bizneseve hezitojnë të fillojnë procedurat, pasi që kërkohen shumë dokumentacione. Numri i bizneseve që sot nuk po funksionojnë janë me mijëra. Përveç kësaj ka edhe shumë biznese të cilat kanë reduktuar edhe stafin dhe janë në prag të mbylljes”, thotë Krasniqi.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU