BB: Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8,8%, diaspora frenoi tkurrjen edhe më të thellë

BB: Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8,8%, diaspora frenoi tkurrjen edhe më të thellë

Ekonomia October 22, 2020 - 11:13

Pandemia COVID-19 e ka shtyrë rajonin e Ballkanit Perëndimor në recesion të thellë, me rënie si në kërkesën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme dhe bashkë me ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit ka shtyrë të gjashtë vendet e rajonit në territorin e rritjes negative për vitin 2020.

Sipas Bankës Botërore, në Kosovë pandemia COVID-19 po ushtron trysni të paprecedent mbi aktivitetin ekonomik dhe kushtet e jetesës së njerëzve. Përkundër lehtësimit në muajin qershor 2020 të masave parandaluese, ekonomia vazhdon të jetë në rënie, meqë tronditja nga COVID-19 është duke ndikuar negativisht shërbimet e eksporteve të nxitura nga diaspora, investimet dhe konsumin privat.

“Ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore, pritet të tkurret me 8,8 për qind në vitin 2020. Mirëpo, rritja e remitancave nga diaspora dhe e eksporteve të metaleve bazë, zbutja e kufizimeve ndërkombëtare ndaj udhëtimeve, si dhe reagimi i Qeverisë përmes politikës fiskale kundërciklike pritet të parandalojnë një tkurrje edhe më të thellë”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

“Goditja nga COVID-19 konfirmoi brishtësinë e modelit të rritjes ekonomike të Kosovës të bazuar në konsum, por edhe vuri në pah rolin e rëndësishëm që luajnë remitancat në këtë periudhë sprove”, shprehet Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kosova është i vetmi vend në rajon ku remitancat po rriten, një siguresë kjo që shumë vende të tjera nuk e kanë. Kjo mund të jetë një mundësi që të hidhen themelet për një rimëkëmbje të qëndrueshme që i trajton pengesat e kahershme strukturore, duke përmirësuar mjedisin rregullativ për zhvillimin e sektorit privat, duke bërë prioritet transferimet sociale drejt qytetarëve më të cenuar, si dhe duke investuar në kapitalin njerëzor në mënyrë që modeli i rritjes të jetë më gjithëpërfshirës dhe më i qëndrueshëm”, tha Paolucci.

Sipas raportit, të gjashtë vendet e rajonit vepruan me shpejtësi për vendosjen e politikave për mbrojtjen e jetëve dhe kushteve të jetesës. Për ta zbutur ndikimin e pandemisë, BB thotë se Qeveria e Kosovës ka zgjeruar shpenzimet rrjedhëse në mënyrë kundërciklike duke mobilizuar financim domethënës koncesionar nga donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare (IFN), duke rritur borxhin e brendshëm dhe duke shfrytëzuar depozitat qeveritare të akumuluara para krizës.

“Përveç sistemeve të përmirësuara shëndetësore dhe mekanizmave solide të mbrojtjes sociale, politikëbërësit e rajonit do të duhet të marrin masa për rritjen e kapitalit njerëzor, për ndërtimin e institucioneve më të forta dhe për forcimin e sundimit të ligjit. Kjo situatë e padëshirueshme, ku duhet shpenzuar përkundër rënies së të ardhurave krijon trysni shtesë mbi qeveritë e rajonit ta kenë prioritet qëndrueshmërinë fiskale, duke përfshirë këtu përmes përmirësimit të shpenzimeve publike dhe forcimit të pajtueshmërisë tatimore”, shprehet Linda van Gelder.

Raporti vlerëson se në planin afatshkurtër shpejtësia e rimëkëmbjes do të varet nga mënyra si evoluon pandemia, nga disponueshmëria e një vaksine që lejon normalizimin e aktivitetit ekonomik dhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e partnerit kryesor tregtar të rajonit - Bashkimit Evropian. /Zëri