Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
Programi “Gratë në Energji” hap 20 vende pune për praktikë me pagesë

Programi “Gratë në Energji” hap 20 vende pune për praktikë me pagesë

Ekonomia October 22, 2020 - 09:51

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës ka njoftuar se ka hapur edhe 20 pozita për punë praktike me pagesë nga programi “Gratë në Energji”.

Në njoftim bëhet e ditur se këto pozita janë vazhdim i 200 pozitave, të cilat janë hapur dhe do të hapen muajve në vazhdim për gratë dhe vajzat në vitet e fundit të studimeve ose që kanë diplomuar rishtazi dhe nuk kanë pasur mundësi për përvojë profesionale.

“Kjo është vala e dytë e mundësive për punë praktike përmes MFK-së, këtë herë të ofruara në 11 komuna të ndryshme të Kosovës si: Mitrovicë, Deçan, Lipjan, Gjakovë, Skenderaj etj. Pozitat e kërkuara në këtë fazë janë: koordinatore e programit, hulumtuese, programere, asistente e projektit, zyrtare për efiçiencë të energjisë, inxhiniere e energjisë së ripërtërishme, inxhiniere e elektroteknikës etj.”, njofton Fondacioni i Mileniumit.

Njoftimi i plotë:

Për të gjitha vajzat dhe gratë të cilat u përkasin profileve të ndryshme profesionale e që duan të jenë pjesë e sektorit të energjisë, Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) ka hapur edhe 20 pozita të reja për punë praktike me pagesë. Këto njëzet pozita bëjnë pjesë në vazhdën e gjithsej 200 pozitave që do të hapen muajve në vazhdim për vajzat dhe gratë në vitet e fundit të studimeve ose që kanë diplomuar rishtazi dhe nuk kanë pasur mundësi për përvojë profesionale.

Kjo është vala e dytë e mundësive për punë praktike përmes MFK-së, këtë herë të ofruara në 11 komuna të ndryshme të Kosovës si: Mitrovicë, Deçan, Lipjan, Gjakovë, Skenderaj etj.

Pozitat e kërkuara në këtë fazë janë: koordinatore e programit, hulumtuese, programere, asistente e projektit, zyrtare për efiçiencë të energjisë, inxhiniere e energjisë së ripërtërishme, inxhiniere e elektroteknikës etj.

Përkundër situatës së krijuar nga pandemia, muaj më parë MFK-ja përmes programit “Gratë në Energji” - punë praktike, ia mundësoi kohortës së parë të vajzave fillimin e punës praktike në distancë në kompani dhe organizata të ndryshme në sektorin e energjisë. Ky program i punës praktike përkrah gratë dhe vajzat të cilat janë duke studiuar në fushat e STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), por edhe disiplinat e tjera, siç janë, ekonomia, marketingu, financat, juridiku, teknologjia informative dhe fushat të tjera të ndërlidhura dhe të rëndësishme për sektorin e energjisë. Ky aktivitet është pjesë e programit 1.45 milionësh, “Gratë në Energji”, i mundësuar nga “Millennium Challenge Corporation” (MCC), që synon të rrisë interesimin e grave për mundësitë që ofron sektori i energjisë, duke ofruar punë praktike me pagesë dhe trajnime me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve teknike të grave që të jenë të kualifikuara dhe të përgatitura për tregun e sektorit te energjisë në Kosovë.

MFK-ja mbetet e përkushtuar të promovojë barazinë gjinore dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për më shumë mundësi të barabarta për të gjithë në Kosovë.

Për më shumë informata, vizitoni uebfaqen e programit “Gratë në Energji”. /Zëri