OAK: Problemet e telefonisë dhe mosnjohja e kodeve të internetit në Kosovë, faktorë dëmtues të bizneseve

OAK: Problemet e telefonisë dhe mosnjohja e kodeve të internetit në Kosovë, faktorë dëmtues të bizneseve

Ekonomia October 22, 2020 - 08:40

Problemet e telefonisë mobile, kualiteti i dobët i shërbimeve të telefonive mobile, problemet me mbulimin e rrjetit 3G dhe 4G në autostradë dhe problemet me IP, që po dëmtojnë me miliona euro biznesin dhe buxhetin e Kosovës, ishin disa nga çështjet e diskutimit në takimin ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me anëtarët e Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, transmeton “Zëri”.

“OAK-u fillimisht theksoi se problem kryesor është ndërprerja e lidhjeve telefonike, si pasoja të kalimit nga një antenë në antenën tjetër, si dhe kualiteti i dobët i telefonatave dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G në pjesët e autostradave. Gjithashtu, në çdo portal që ka të paraqitura reklama në fund të faqes dhe në bazë të IP-ve shfaqen dhe reklamat, ku shpeshherë kemi reklama në gjuhë të tjera dhe jo në shqip. Kjo po ndikon negativisht te mediat, duke pësuar humbje financiare në biznes dhe njëkohësisht humbje në buxhetin e shtetit”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

OAK-u ka bërë një hulumtim në Prishtinë në lidhje me ketë dhe varësisht nga operatorët del se edhe pse jeni në Prishtinë, ju sipas IP-adresave jeni në Mal të Zi, Shqipëri ose në Serbi.

Në këtë rast OAK-u kërkoi që ARKEP-i të kontribuojë në eliminimin e këtyre problemeve.

“Anëtarët e Bordit të ARKEP-it përgëzuan përfaqësuesit e OAK-ut për iniciativën e adresimit të problemeve të bizneseve nëpër institucione, duke theksuar që janë të hapur të mirëpresin çdo ankesë dhe çështje që ka lidhje të bëjë me shërbimet e telefonisë dhe postave. Gjithashtu, sa u përket çështjeve të ngritura nga OAK-u ata theksuan që Kosova nuk ka kod të internetit dhe të gjithë operatorët kyçjen e gjejnë te shtetet e tjera dhe kjo është arsyeja që Kosova nuk ka IP të njohur, duke pasur parasysh që duhet të jemi anëtarë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, përfundohet në komunikatë. /Zëri