Bajrami tregon për “avullimin” e 2.1 milionë eurove nga Thesari

Bajrami tregon për “avullimin” e 2.1 milionë eurove nga Thesari

Ekonomia October 21, 2020 - 16:07

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka folur për rastin e katër transaksioneve të dyshimta që kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Republikës.

Shuma është rreth 2.1 milionë euro të cilat, sipas Bajramit, kanë shkuar te një operator ekonomik, duke mos treguar se për cilin operator bëhet fjalë.

Ajo tha se rastin e kanë denoncuar te organet e rendit vetë institucionet, dhe ato janë duke u marrë me rastin.

“Janë suspenduar dy zyrtarë, njëri nga ta është arrestuar. Duke punuar për rastin po punon edhe njësia e inteligjencës financiare, dhe është njoftuar edhe AKI-ja”, tha Bajrami.

“Ky është një transaksion bankar, dhe i kemi gjurmuar të gjitha transaksionet që janë bërë pas këtij transaksioni. Po bëhen të gjitha përpjekjet që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës. Është rast i izoluar. Janë vetë institucionet që e kanë gjurmuar rastin. Dua t’ju garantoj se gjithçka po gjurmohet sepse është transaksion bankar”, ka thënë Bajrami, raporton Zeri.info.

“Mjetet e buxhetit të Kosovës janë në BQK dhe janë të sigurta”, tha më tej ministrja.

“Zyrtari, përmes së të cilit janë bërë transaksionet, është arrestuar, ndërsa është suspenduar përgjegjësi i tij”, shtoi ajo.

Ministrja tha se “ata dy janë zyrtarë të Thesarit. I arrestuari punon në Thesar që 11 vite”.

“Më 9 tetor kanë ndodhur transaksionet, dhe mjetet nga buxheti i një ministrie tjetër [Ministria e Infrastrukturës] janë tërhequr dhe janë bërë pagesa në emër të këtij operatori privat. Ka kaluar një kohë, dhe ministria e linjës i ka parë transaksionet, ka pyetur Thesarin e Republikës se mos është ndonjë ekzekutim i ndonjë vendimi gjyqësor. I kemi bërë menjëherë verifikimet dhe kemi ardhur deri te denoncimi i rastit. Po atë ditë i kemi njoftuar organet. Krejt procedura e hetimit ka filluar dje”, u shpreh ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.