Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
Shqipëria, sivjet 20 për qind më pak eksport në drejtim të Kosovës

Shqipëria, sivjet 20 për qind më pak eksport në drejtim të Kosovës

Ekonomia October 20, 2020 - 11:06

Instituti Shqiptar i Statistikave, INSTAT, ka publikuar të dhënat për tregtinë e jashtme të mallrave për periudhën nëntëmujore të këtij viti.

Sipas INSTAT-it, në shtator 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliardë lekë, duke u rritur me 1,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 30,1%, në krahasim me gushtin 2020.

Importet e mallrave arritën vlerën 52 miliardë lekë, duke u rritur me 0,3%, në krahasim me një vit më parë dhe 8,6%, në krahasim me gusht 2020.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 27 miliardë lekë, duke u ulur me 0,5%, i krahasuar me shtatorin 2019 dhe 5,9%, në krahasim me gushtin 2020.

Por gjatë periudhës nëntëmujore 2020 vendi me të cilin Shqipëria ka pasur uljen më të madhe në eksport ka qenë Kosova, me 20%, e pasuar nga Italia (18,4%) dhe Spanja (16,2%).

Për dallim prej kësaj, gjatë muajit shtator të këtij viti, në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve me Kosovën.

“Në muajin shtator 2020 vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me shtatorin 2019, janë: Kosova (12,1%), Greqia (25,9%) dhe Franca (226,4%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (5,3%), Spanja (34,9%) dhe Mali i Zi (1,1%). Gjatë periudhës nëntëmujore vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (8,9%), Serbia (7,0%) dhe Franca (13,0%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (18,4%), Kosova (20,7%) dhe Spanja (16,2%)”, thuhet në raportin e INSTAT-it, raporton “Zeri.info”.

Sipas shifrave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Statistikave, del se në këtë nëntëmujor Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 144.65 milionë eurosh, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka eksportuar mallra në vlerë prej 182.5 milionë eurove.

Më tutje raporti konstaton se në muajin shtator 2020 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me shtatorin 2019, janë: Italia (2,2%), Kina (5,1%) dhe Gjermania (8,1%), ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Turqia (14,2%), Greqia (2,9%) dhe Polonia (1,2%).

“Gjatë periudhës nëntëmujore vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (26,1%), Maqedonia e Veriut (2,6%) dhe Holanda (7,3%), ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (14,1%), Turqia (2,8%) dhe Greqia (8,3%)”, u bë e ditur nga INSTAT-i.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 63,3%, të të gjithë tregtisë.

“Në shtator 2020 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,3% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,2%), Greqia (8,0%), Turqia (6,9%) dhe Gjermania (6,4%)”, thuhet në raportin e Institutit të Statistikave të Shqipërisë.

Po ashtu u tha se shkëmbimet tregtare për nëntëmujorin e 2020-ës me vendet e BE zënë 63,0% të të gjithë tregtisë, duke saktësuar se në periudhën janar – shtator 2020 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 57,4% të importeve gjithsej.

Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë: Italia (31,2%), Greqia (7,7%), Gjermania (7,1%) dhe Turqia (6,9%). /Zëri