SHBK-ja reagon ndaj sulmit të sotshëm në Raiffeisen Bank në Ferizaj

SHBK-ja reagon ndaj sulmit të sotshëm në Raiffeisen Bank në Ferizaj

Ekonomia October 17, 2020 - 15:35

Në një njoftim për media, Shoqata e Bankave të Kosovës, ka reaguar ndaj sulmit që ndodhi mëngjesin e sotëm në bankën "Raiffeisen Bank" në komunën e Ferizajit, sulm ky që u përcoll me eksploziv, përcjell Zeri.info

"Shoqata e Bankave të Kosovës dënon sulmin kriminal të grupeve të armatosura me lëndë eksplozive të shkaktuar në mëngjesin e sotëm të datës 17.10.2020 ndaj njërës nga bankat komerciale në qytetin e Ferizajit", thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj Shoqate këto sulme kanë për qëllim fuqizimin e grupeve kriminale në Kosovë dhe rrënimin e rendit dhe ligjit në vendin tonë duke kërkuar që të gjejnë një hapësirë në Kosovë për të shtrirë veprimtarinë e tyre kriminale.

SHBK-ja thotë se kjo nuk duhet lejuar me asnjë kusht nga institucionet e sigurisë së vendit dhe duhet të përdoren të gjithë mekanizmat shtetërorë të sigurisë për të ju pamundësuar një gjë të tillë këtyre grupeve.

"Zona ku është realizuar sulmi është zonë rezidenciale ku përveç dëmeve të shkaktuara ndaj bankës dhe bizneseve përreth janë shqetësuar edhe banorët e asaj lagje si dhe është rrezikuar edhe jeta e qytetarëve në atë rrugë pasi që shpërthimi ka qenë i përmasave mjaftë të mëdha. Shoqata e Bankave të Kosovës i bën thirrje të gjitha institucioneve të rendit dhe sigurisë që të ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që këto grupe të identifikohen sa më shpejtë dhe të sillen para organeve përkatëse të drejtësisë", bëhet e ditur në njoftim.

Shoqata e Bankave të Kosovës bën të ditur se në vitin 2019 Shoqata e Bankave të Kosovës kishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës për të bashkërenduar aktivitetet në luftimin dhe parandalimin e këtyre dukurive.

Sipas tyre ky bashkëpunim kishte rezultuar i suksesshëm duke ulur ndjeshëm numrin e sulmeve ndaj bankave përgjatë vitit 2019 dhe 2020.

Po ashtu Shoqata e Bankave të Kosovës bën të ditur se bankat kanë ndërmarrë një sërë masash për të rritur sigurinë dhe rrjedhimisht mundësia për këto grupe kriminale për të përfituar nga këto sulme është minimale.

Megjithatë, sipas tyre mundësia për të shkaktuar dëme materiale te bizneset dhe për të rrezikuar jetë njerëzish mbetet mjaft e lartë. /Zëri