Vlerësohet progresi i MEA-së gjatë raportimit në Komitetin për MSA-në

Vlerësohet progresi i MEA-së gjatë raportimit në Komitetin për MSA-në

Ekonomia October 16, 2020 - 12:39

Në kuadër të raportimit të rregullt vjetor, Sekretari i Përgjithshëm i MEA-së, Fatos Qerimi dhe Udhëheqësja e Departamentit për Integrim Evropian, Koordinimit të Politikave dhe Zhvillimit Ekonomik në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Leonita Shabani – Mullarama kanë marrë pjesë në takimin e IV-të virtual të Komitetit për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Takimi është udhëhequr nga Genoveva Ruiz Calavera, Drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit, dhe Artan Çollaku, Drejtor i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim-Asociimit në Zyrën e Kryeministrit, nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë takimit, është konfirmuar përkushtimi nga MEA në realizimin e obligimeve që derivojnë nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit BE-Kosovë dhe dokumentet e tjera nga fusha e integrimit Evropian, përcjell Zeri.info

Në lidhje me Inovacionin dhe Shoqërinë e Informacionit, është konfirmuar që baza ligjore për fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë është në proces të hartimit. Përveç kësaj, është theksuar investimi kapital në drejtim të krijimit të Qendrave Rajonale për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe strukturimit të fondit për inovacion dhe ndërmarrësi, me qëllim të përkrahjes së ideve inovative të ndërmarrësve.

Gjatë takimit është theksuar se MEA ka proceduar në Qeveri dy ligjet bazë në fushën e shoqërisë së informacionit, përkatësisht projektligjin për masat e uljes së kostos së vendosjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike me shpejtësi të lartë dhe projektligjit për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besueshme për transaksionet elektronike.

Në takim u theksua progresi në fushën e harmonizimit të legjislacionit dhe njëkohësisht u inkurajuan institucionet e vendit që të vazhdojnë me përafrimin me standardet më të mira të BE-së në sektorët kyç duke përfshirë; zhvillimin ekonomik, energjinë dhe mjedisin.

Gjithashtu është potencuar se Kosova është duke bërë progres në drejtim të krijimit të Rrjetit Kombëtar të Kërkimit dhe Edukimit, i cili do t’i mundësojë akademikëve, shkencëtarëve dhe studentëve të ndërveprojnë me kolegët e tyre jashtë vendit.

Po ashtu është bërë e ditur se projekti për ekonominë digjitale është në proces të zbatimit dhe pritet që shumë familje, shkolla publike dhe institucione shëndetësore të lidhen me internet falas për pesë vitet e ardhshme. Progres është shënuar edhe në drejtim të miratimit të akteve nënligjore në fushën e shërbimeve postare.

Në lidhje me Energjinë dhe Mjedisin, përfaqësuesit nga MEA kanë theksuar miratimin e akteve nënligjore të ligjit për Efiçiencë të Energjisë, funksionalizimit të plotë të fondit për efiçiencë të energjisë, si dhe plani në lidhje me krijimin e politikës së stimujve për amvisëri dhe sektorin privat, me qëllim që këto kategori të përfitojnë drejtpërdrejtë nga fondi për efiçiencë të energjisë. Është potencuar progresi në lidhje me projektin e dekomisionimit të TC Kosova A, hartimit të Strategjisë së re për fushën e Energjisë, si dhe të Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë 2021-2030.

Diskutimi ka përfunduar me temën në lidhje me aktivitetet me qëllim të zhvillimit të skemës konkurruese për investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, vazhdimin e përafrimit të legjislacionit në fushën e mjedisit, planin për reduktimin e ndotjes së ajrit, planin për mbeturinat e ngurta, si dhe për identifikimin e lokacionit për ndërmarrjen për magazinimin e materieve të rrezikshme. /Zëri