Ndahen fonde për 12 komuna të Kosovës për pajisje teknologjike për shkolla të mesme

Ndahen fonde për 12 komuna të Kosovës për pajisje teknologjike për shkolla të mesme

Ekonomia October 15, 2020 - 16:03

Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit sot janë nënshkruar 12 memorandume bashkëpunimi me 12 komuna të Kosovës, duke u mundësuar secilës prej tyre pajisje të IT-së për shkolla të mesme.

Komuna e përzgjedhura për këtë përkrahje nga MEA, prej fondit të Departamentit të Inovacionit janë: Prizreni, Lipjani, Juniku, Drenasi, Klina, Rahoveci, Suhareka, Gjakova, Obiliqi, Shtimja, Vushtrria dhe Deçani.

Ministri i MEA-së, Blerim Kuçi ka treguar se kjo ndihmë është shumë praktike dhe u ka lënë duart e lira komunave që ata të përzgjedhin shkollat dhe llojin e pajisjeve, teksa ka bërë me dije se edhe komunat tjera do të përkrahen.

“Duke pasur parasysh atë që çdo komunë i ka specifikat e veta dhe në këtë kuptim kemi bart mundësitë te kryetarët ashtu që ata t’i zgjedhin shkollat e mesme nëpër komunat e tyre dhe të zgjedhin pajisjet që janë më se të nevojshme. Pra, kjo marrëveshje është marrëveshje e nënshkruar nga MEA dhe 12 komunat e Republikës së Kosovës. Po ashtu njoftoj edhe kryetarët e komunave tjera shpresoj që në një të ardhme shumë të afërt, varësisht nga disa rrethana buxhetore do të vazhdojmë me financim”, ka thënë ministrit Kuçi.

Si kryetar i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka thënë se kjo ndihmë është në një moment të përshtatshëm, duke e vlerësuar lartë këtë projekt./Zëri