Bajrami merr mbështetje nga  Banka Botërore në Washington

Bajrami merr mbështetje nga Banka Botërore në Washington

Ekonomia September 18, 2020 - 17:23

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka zhvilluar takim më delegacionin e Bankës Botërore të udhëhequr nga Anna Bjerde, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. Temë e diskutimit ishte fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore në projekte që kanë për objektiv zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Në takim u diskutua portofolio ekzistuese e projekteve, përshpejtimi i implementimit të projekteve, hapësira fiskale për projekte të reja si dhe instrumenti për zhvillimin e politikave si një platformë e rëndësishme e bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe Kosovës.

“Ministrja Bajrami e informoi ekipin e Bankës Botërore lidhur me kontekstin socio-ekonomik në vendin tonë dhe implikimet e shkaktuara nga pandemia COVID-19 në ekonominë e Kosovës. Ajo nënvizoi se Qeveria e Kosovës po punon intensivisht në adresimin e sfidave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia, dhe në këtë kuadër, e mirëpret gatishmërinë e Bankës Botërore për të punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës në intensifikimin e bashkëpunimit i cili do të sjellë rezultate konkrete për zhvillimin socio-ekonomik dhe avancimin e reformave në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë, përcjell Zeri.info.

Nga ana tjetër, Bjerde falënderoi Bajramin për bashkëpunimin e deritashëm me Qeverinë e Kosovës, dhe u shpreh se Banka Botërore do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës. Ajo shtoi se ekipi i Bankës Botërore do të punojë ngushtë më Ministrinë e Financave dhe Qeverinë e Kosovës në financimin e projekteve dhe reformave që do të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike të Republikës së Kosovës. /Zëri