Infektuar: 18148
Shëruar: 15150
Vdekur: 666
Komuna e Prizrenit zëvendëson kalldrëmin me kube betoni, QRTK-ja e cilëson të papranueshëm projektin

Komuna e Prizrenit zëvendëson kalldrëmin me kube betoni, QRTK-ja e cilëson të papranueshëm projektin

Ekonomia September 16, 2020 - 08:00
Image

Qyteti i Prizrenit njihet si vend për vlerën dhe trashëgiminë kulturore, por ruajtja e këtyre vlerave nuk është e lehtë në ditët e sotme, pasi objektet e trashëgimisë kulturore po pësojnë shkatërrime ose ndryshime.

Një gjë e tillë ndodhi së fundmi në lagjen “Nënkalaja”, rruga e së cilës është e shtruar me kalldrëm (gurë lumorë dhe kube guri), mirëpo Komuna ka filluar një projekt me anë të të cilit kjo rrugë po shtrihet me kube betoni.

Ky projekt i Komunës bëri që të ketë reagime e mospëlqime nga banorët e lagjes, por edhe nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Në një përgjigje dhënë “Zërit”, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka akuzuar Komunën e Prizrenit, duke thënë se nuk e ka respektuar Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe nuk e ka parasysh trashëgiminë kulturore.

“Komuna e Prizrenit në vazhdimësi nuk është duke punuar në respektimin e Ligjit të Qendrës Historike të Prizrenit, kurse trashëgiminë kulturore nuk e ka parasysh fare, duke mos investuar aspak në ruajtjen dhe mbrojtjen e saj e as duke mos zbatuar ligjet në fuqi”, ka thënë QRTKP-ja.

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha, i tha “Zërit” se kjo Qendër e ka nënshkruar letrën nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor për projektin “Rehabilitimi i rrugës në ‘Nënkala’”, por jo në mënyrën në të cilën po ndërtohet.

Sipas tij, rruga parashihej të shtrohej me kalldrëm, ku do të vendoseshin edhe disa ulëse dhe trupa ndriçues.

“Me Ligjin për Qendrën Historike Prizreni është klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar, që e parashikon mbrojtjen, ruajtjen, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e karakteristikave tradicionale historike urbane të tij. Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK Prizren) më datën 06.09.2018 ka pranuar kërkesën (nr. 377) nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor (DUPH) nr. 04-353/02-135318 për t’u pajisur me pëlqim për projektin ‘Rehabilitimi i rrugës në ‘Nënkala’’ (investitor i projektit Drejtoria e Shërbimeve Publike - DSHP) ndaj të cilës kërkesë QRTK-ja i është përgjigjur pozitivisht DUPH-së më datën 13.09.2018, respektivisht më datën 13.03.2019 (Projekti kryesor). Në bazë të projektit, rruga duhej të shtrohej me kalldrëm (gurë lumorë dhe kube guri), si dhe ishte paraparë të vendosen disa ulëse, shporta për mbeturina dhe trupa ndriçues. QRTK-ja e Prizrenit ka marrë vendim duke u bazuar në Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit (QHP) dhe Planin e Konservimit, ku lejohet shtrimi i rrugëve me kalldrëm”, deklaroi Hoxha për “Zërin”.

Por nga ajo që është parë deri më tani kjo rrugë është duke u shtruar me kube betoni, për çka Hoxha thotë se projekti si i tillë për QRTK-në në Prizren është i papranueshëm.

“QRTK – Prizren njofton opinionin publik që shtrimi i rrugës në nënkala me kube betoni është i papranueshëm, pasi është në kundërshtim me Ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit dhe Planin e Konservimit, si dhe nuk është në përputhshmëri me pëlqimin e lëshuar”, potencoi ai.

Ai i ka bërë thirrje Komunës që ta ndalojë punën menjëherë.

“I bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit si investitor i këtij projekti të ndalojë menjëherë punimet joadekuate në ‘Nënkala’ dhe t’i përmbahet projektit të aprovuar nga ana e QRTK-së. Verifikimi i punimeve në terren sipas projektit, respektivisht lejes së lëshuar duhet të bëhet nga Drejtoria e Inspektorateve dhe të mos lejohet asnjë devijim”, përfundoi ai.

Banorët thanë për “Zërin” se kjo rrugë ka prishur imazhin e lagjes dhe se pamja e saj për ta është e tmerrshme.

“Nuk e di se kush i ka filluar këto punime, gjendja nalt është tmerr”, tha Elmedina Dorambari, banore e kësaj lagjeje.

“Zëri” ka provuar të kontaktojë edhe me Komunën e Prizrenit, por që kjo e fundit nuk ishte në dispozicion për prononcim rreth kësaj gjendjeje. /Zëri

Image