Kosova gati për takimin e ministrave të Transportit në Bruksel, synon të marrë mbështetje financiare

Kosova gati për takimin e ministrave të Transportit në Bruksel, synon të marrë mbështetje financiare

Ekonomia September 15, 2020 - 12:12

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka pritur në takim Matej Zakonjshekun, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit në Komisionin Evropian.

Abrashi pas takimit në një konferencë për medie tha se në takim kanë diskutuar për projekte e përbashkëta të vendeve të Ballkanit Perëndimor e që synim kanë lehtësimin e lëvizjes së mallrave dhe qytetarëve.

Më tej ai ka shtuar se vendi është gati për takimin e ministrave të Transportit, që do të mbahet në Bruksel, pra nga synohet financimi i projekteve për regjionin në përgjithësi.

“Kemi diskutuar çështje shumë me rëndësi për vendin edhe rolin e këtij komunitetit për Ballkanin Perëndimor. Ky komunitet tanimë ka katër prioritetet, që lidhen me lëvizjen e lirë të qytetarëve, e para ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës hekurudhore, e dyta ka të bëjmë me ndihmë dhe përmirësimin që i jep Ballkanit Perëndimor në infrastrukturën rrugore, e treta ka të bëjë me sigurinë në rrugë dhe në trafik dhe e katërta ka të bëjë me të gjitha lehtësirat në transportit rrugor, hekurudhor në mes vendeve të Ballkanit.

Ne sot kemi diskutuar për shumë çështje, që lidhen me këto pika, ku synojmë të bëjmë një plan që i paraprin takimit të ministrave të Transportit në Bruksel, ku do të diskutojmë për të gjitha. BE-ja përmes këtij mekanizmi do të bëjë të mundur realizimin e një numri të madh të projekteve për regjionin, në mënyrë që të lehtësohet transporti i mallrave dhe qytetarëve”.

Matej Zakonjshek, drejtori i Sekretarisë së Përhershme të Komunitetit të Transportit, tha se kanë një plan të qartë për ta ndihmuar Ballkanin në modernizimin e transportit me qëllim zhvillimin ekonomik.

“Jam këtu në një momentum të ri për Ballkanin Perëndimor, që e ka të qartë rrugën e integrimit evropian për të ecur përpara për të mirën e jetës së qytetarëve. Komisioni Evropian ka një plan të qartë për ndihmë në regjion. Transporti është kyç për zhvillimin e ekonomik të regjionit dhe të gjithë duhet të punojmë në këtë drejtim.

Prandaj duhet të çojmë përpara agjendën e zhvillimit të transportit. Sot u diskutua si të zhvillojmë dhe modernizojmë transportin në zhvillim ekonomik të Ballkanit me projekte konkrete për qytetarët e Ballkanit”.