Oda Amerikane prezanton programin e BERZH-it për përmirësim të menaxhimit financiar

Oda Amerikane prezanton programin e BERZH-it për përmirësim të menaxhimit financiar

Ekonomia September 10, 2020 - 13:48

Në një forum virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane (OAK) në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe “Ernst and Young” Shqipëri dhe Kosovë, u prezantua Programi i BERZH-it për Përmirësimin e Menaxhimit Financiar. Në njoftimin e OAK thuhet se menaxhimi më i mirë i financave të ndërmarrjeve, si dhe raportimi korrekt i tyre ka marrë një rëndësi të theksuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, e cila ka shkaktuar çrregullime të paprecedenta mbi ekonominë e vendit.

Arian Asolli, analist në programin e BERZH-it, Këshilla për Bizneset, theksoi qëllimet e këtij programi, të cilat mes të tjerash përfshijnë përmirësimin e kapaciteteve të kompanive vendore për menaxhim dhe raportim financiar, në mënyrë që të njëjtat të krijojnë lehtësira për qasje direkte ose indirekte në kreditë që ofron BERZH-i, si dhe rritjen e atraktivitetit të bizneseve për investitorët vendas dhe ata të huaj.

Asolli po ashtu shtjelloi kriteret, të cilat duhet plotësuar nga bizneset për përfshirje në këtë program, derisa përmendi edhe profilin ideal të kompanive që kjo bankë po kërkon. Ai gjithashtu bëri të ditur se përkrahja e BERZH-it do të jetë 75% e kostove totale.

Emel Visha, menaxhere në zyrën e “EY Kosovo and Albania për Strategji dhe Transaksione”, theksoi se në kuadër të këtij programi EY nëpërmjet strukturave të veta ka krijuar modelin e qëndrueshmërisë së ndërmarrjeve, të ndarë në tre etapa, të cilat përfshijnë përgjigjen me urgjencë tani, përgatitjen për të ardhmen dhe të menduarit tutje, duke marrë në konsideratë çrregullimet e shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Ajo potencoi pikat kryesore për ndërhyrje në biznes, ku kjo kompani mund të ofrojë asistencë, duke përmendur përgatitjen e një plani të biznesit, parashikimin e likuiditetit dhe analizën e skenarëve, si dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për proceset e aplikimit për ndihmë financiare. Për më tepër, Visha foli edhe për problematikat e ndryshme, të cilat po i hasin bizneset dhe mbështetjen që EY mund të ofrojë në adresimin e të njëjtave.

Shkëmb Gashi, menaxher në departamentin e auditimit në kompaninë “Ernst and Young Kosovo and Albania”, foli për gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës duke tërhequr paralele në mes të situatës parapandemike dhe asaj të tanishme, duke vlerësuar ndikimet që pandemia COVID-19 ka pasur mbi veprimtaritë e bizneseve dhe ekonominë në përgjithësi. Ai gjithashtu theksoi një ndër problematikat më primare me të cilat ballafaqohen ndërmarrësit sot, siç është rreziku i vijimësisë së biznesit duke shtuar se EY ofron mbështetje përmes analizave të ndryshme makroekonomike, të faktorëve specifikë të ndërmarrjes që mund të ndikohen nga pandemia dhe analiza të tjera sipas nevojës. /Zëri