Shoqata e Gastronomëve kërkon nga Qeveria zgjatjen e orarit të punës deri në orën 00:00

Shoqata e Gastronomëve kërkon nga Qeveria zgjatjen e orarit të punës deri në orën 00:00

Ekonomia September 09, 2020 - 10:23

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ua ka nisur një letër publike kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë Armend Zemajt.

Përmes kësaj letre, ata kanë kërkuar që të mundësohet zgjatja e orarit të punës deri në orën 00:00.

“Gjendja aktuale në vendin tonë sa i përket sektorit që mbulojmë dhe për të cilin avokojmë është tepër shqetësuese. Si rrjedhojë e masave të ushtruara nga ana e institucioneve të Kosovës, shumë biznese rrezikojnë të mbyllen nga pengesat që janë shkaktuar në afarizmin e tyre. Deri më tani nuk kemi pasur asnjë mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj bizneseve nga institucionet tona, por vetëm ndaj punëtorëve me anë të Pakos Emergjente dhe kjo me shumë lëshime në zbatimin e saj. Andaj, në mirëkuptim dhe konsideratë ndaj situatës së krijuar, kërkojmë nga ana juaj që të trajtoni me prioritet të lartë kërkesat tona dhe të ofroni ndihmë ndaj bizneseve që fatkeqësisht renditen si një prej më të goditurave në vend”, thuhet në këtë letër, transmeton “Zeri.info”.

Gjithashtu ata kanë bërë të ditur se peticioni me nënshkrime për këto kërkesa së shpejti do t’u dërgohet institucioneve. Kjo shoqatë ka thënë se çdo veprim që do ta ndërmarrë në të ardhmen në kërkim të përmbushjes së këtyre kërkesave “do të jetë gjithnjë demokratik”.

Masa për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:30 deri në orën 05:00 është vendosur që nga fundi i muajit korrik. /Zëri