Bajrami kërkon nga deputetët që nesër ta votojnë tërheqjen e 10% të trustit

Bajrami kërkon nga deputetët që nesër ta votojnë tërheqjen e 10% të trustit

Ekonomia August 13, 2020 - 20:45

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se tërheqja e 10 përqindëshit të kursimeve nga trusti do të mundësohet së shpejti.

Ajo ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që në seancën e nesërme ta votojnë Ligjin për Rimëkëmbje.

“Tërheqja e 10 % të kursimeve nga Trusti mundësohet së shpejti, kërkoj nga deputetët të votojnë nesër Ligjin për Rimëkëmbje në dy lexime”, ka thënë ajo përmes një postimi në “Facebook”, transmeton Zeri.info.

Njoftimi i plotë:

Nesër, me datë 14.08.2020, në Seancën plenare të Kuvendit të Kosovës do të shqyrtohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, COVID-19. Ky ligj është i një rëndësie vitale, sepse përmes tij krijohen mundësitë ligjore për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe rigjallërimin e ekonomisë së vendit tonë.

Ky projektligj ua mundëson qytetarëve të vendit t’i tërheqin 10% të mjeteve të tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale, duke rritur kërkesën agregate në ekonomi.

Projektligji mundëson transferin e mjeteve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në buxhetin e Kosovës, për t’u vënë në funksion të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit.

Përmes plotësim-ndryshimit të ligjit për Themelimin e Fondit për Garanci Kreditore, mundësohet kreditimi i ekonomisë me kushte të favorshme për bizneset dhe fermerët - përmes mbulimit të rrezikut dhe subvencionimit të normave të interesit nga Qeveria e Kosovës.

Nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për TVSh-në do të reduktohet norma e TVSh-së nga 18% në 8% për hoteleri dhe gastronomi.

Rrjedhimisht, Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike - COVID-19 krijon mundësinë ligjore për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë masa të rëndësishme të cilat do ta shtyjnë përpara procesin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Andaj, si Ministre e Financave, u bëj thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që nesër ta votojnë këtë projekt-ligj.