COVID-19, zvogëlohet eksporti i drurit në Evropë

COVID-19, zvogëlohet eksporti i drurit në Evropë

Ekonomia August 07, 2020 - 17:03

Sektori i prodhimit, konkretisht industria e përpunimit të drurit në Kosovë, është një nga sektorët që është goditur më së rëndi nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Ky sektor, sipas Shoqatës së përpunuesve të drurit, ka zvogëluar kapacitetet prodhuese për 30 për qind, duke zvogëluar në këtë mënyrë edhe eksportin për në vendet e Bashkimit Evropian.

Në këtë sektor, hyn përpunimi i mobilieve, dyerve, dritareve dhe të tjera.

Kurse, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë vitit të kaluar eksporti i këtyre produkteve ka qenë 5.8 milionë euro, derisa eksporti për shtatë muajt e këtij viti kap vlerën e 2.8 milionë eurove.

Një ndër kompanitë që ka zvogëluar kapacitet prodhuese, rrjedhimisht eksportin për 30 për qind, është edhe kompania “Binni”, nga Vushtrria që merret me prodhimin e dyerve, dritareve dhe produkteve të tjera në fushën e mobilierisë. Kjo kompani eksporton në disa vende të Bashkimit Evropian.

Një nga pronarët e kësaj kompanie, Bedri Fazliu, tregon se përveç rënies së fuqisë blerëse në tregun vendor, rënie për 30 për qind ka shënuar edhe eksporti i mallrave në vendet evropiane, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Zhvillimi i aktivitetit aktual është luftë për mbijetesë, thotë Fazliu duke shtuar, se nëse vazhdon kjo situatë deri në fund të vitit, atëherë do të shqyrtohet edhe mundësia e zvogëlimit të numrit të punëtorëve. Kjo kompani numëron 190 punëtorë.

“Vendet ku më së shumti kemi eksport janë: Gjermania, Zvicra, Franca, Austria dhe shtetet tjera, por në sasi më të vogël. Edhe në këto shtete kriza me pandeminë ka ndikuar, kështu që njerëzit hezitojnë të investojnë. Deri më tani nuk kemi humbur ndonjë kontratë, porse kërkesa nuk ka”,thotë Fazliu për Radion Evropën e Lirë.

Edhe Arieta Vula-Pozhegu, kryetare e Shoqatës së përpunueseve të drurit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kriza globale me pandeminë ka ndikuar me rënie të kërkesës së këtij produkti si në tregun vendor, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ajo thotë se rënia e fuqisë blerëse për këto produkte ka ndodhur për shkak se kërkesa e konsumatorëve, në këtë situatë të pandemisë, është orientuar kryesisht te produktet e domosdoshme ushqimore.