OAK-u kërkon nga Ministria e Jashtme të mbrojë më shumë Kosovën dhe qytetarët e saj

OAK-u kërkon nga Ministria e Jashtme të mbrojë më shumë Kosovën dhe qytetarët e saj

Ekonomia August 04, 2020 - 11:58

Oda e Afarizmit e Kosovës, përmes një letre publike, ka kërkuar nga Ministria e Jashtme që të punojë më shumë në lidhje me zgjidhjen e çështjeve që janë në kompetencë të këtij dikasteri.

Sipas OAK-ut, Kosova si shtet, për dallim nga vendet e rajonit, trajtohet në mënyrë më diskriminuese, gjë e cila duhet të trajtohet nga institucionet e vendit dhe të rritet presioni për zgjidhjen e problemeve që shfaqen si rezultat i kësaj.

Ata thonë se disa vite kanë evidentuar shumë barriera me të cilat ballafaqohemi ne si shtet e të cilat do të duhej të diskutoheshin me shtetet e tjera, në mënyrë që të arrihet tejkalimi i tyre, disa nga të cilat kanë të bëjnë me:

  • Pamundësia e ekzekutimit të pagesave, ku nga Kosova nuk pranohet pagesa edhe pse kemi master dhe visa card;
  • Pamundësia e inkasimit të të hyrave nga “Facebook”-u, duke bërë që bizneset të hapin llogari jashtë vendit, në mënyrë që t’u mundësohet bizneseve inkasimi nga marketingu;
  • Problemet e bizneseve dhe të qytetarëve me pagesat jashtë vendit;
  • Mungesa e listimit të Kosovës në vendet e tjera, në momentet që bëhen blerjet dhe individët ose bizneset dëshirojnë që të pajisen me fatura, Kosova nuk figuron fare në listë, gjë që e pamundëson marrjen e faturës;
  • Mosnjohja e Kosovës nga “Google”;
  • Emri i qyteteve në “Google Maps” të figurojë vetëm në gjuhën shqipe (një pjesë është në gjuhën shqipe dhe një pjesë vetëm në gjuhën serbe);
  • Gjithashtu nëse e përkthejmë në “Facebook” një lajm ose tekst të caktuar nga gjuha shqipe në ndonjë gjuhë tjetër, çdo vend ku figuron emri Kosovë ose Kosovo, ai përkthehet me automatizëm nga Kosova ose Kosovo në Serbi;
  • Rëndësia e lobimit të stafit profesional në mënyrë që nëpërmjet ambasadave të aranzhohen takimet, duke rritur kështu sigurinë reciproke;
  • Nevoja që në ambasada të kemi atashe ekonomikë. Republika e Kosovës në asnjë ambasadë nuk ka atashe ekonomikë, ndërkohë që ankohemi se nuk kemi investime të huaja;

OAK-u kërkon nga Ministria e Punëve të Jashtme që të bëjë reagimin dhe rregullimin e këtyre pengesave, në mënyrë që barriera të tilla të eliminohen.

“Rritja e komunikimit me shtetet e tjera, adresimi sa më i shpejtë dhe lobimi për tejkalimin e këtyre barrierave është më se i nevojshëm, sidomos në këtë kohë pandemie”, thuhet në letrën e OAK-ut. /Zëri