Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Hoti u premton sindikalistëve zgjidhje për Telekomin deri në fund të javës së ardhshme

Hoti u premton sindikalistëve zgjidhje për Telekomin deri në fund të javës së ardhshme

Ekonomia July 23, 2020 - 20:09
Image

Telekomi i Kosovës, në vitin 2009 kishte lidhur kontratë me kompaninë “Dardafon.net” për të krijuar kështu operatorin virtual të telefonisë mobile “Vala”, “Z-mobile”, shkruan Zeri.info.

Marrëveshja mes tyre shkoi mirë për një kohë, por dikur nisën mospajtimet mes dy nënshkruesve.

Mospajtimet nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numra shtesë nga Telekomi, më shumë se 200 mijë sa i ishin ndarë në fillim. Mirëpo, kërkesa e tyre nuk u pranua nga Telekomi, me ç’rast, më 2015 “Dardafon” e dërgoi rastin në Arbitrazh me pretendimin se Telekomi e kishte shkelur marrëveshjen.

Arbitrazhi, më 9 dhjetor të vitit 2016, vendosi në favor të kompanisë “Z-Mobile”, vendim i cili detyronte Telekomin e Kosovës që të ndante numra shtesë për “Z-Mobile”, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

Madje, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë për dëmin e shkaktuar “Z-Mobilet”.

Por, majin e vitit pasues, dy palët njoftuan për arritjen e një marrëveshjeje për mospagesë të dëmshpërblimit prej 30 milionë eurove.

Mirëpo, marrëveshja e arritur më 2017 ishte zbatuar pjesërisht.

Më 2019, Telekomi i Kosovës vendosi të mos e vazhdonte kontratën me “Dardafon” për operatorin virtual “Z-Mobile”. Pas këtij vendimi, në nëntor të vitit të kaluar, “Z-Mobile” kishte paralajmëruar padi të re kundër Telekomit të Kosovës.

Padia e re ndodhi, dhe rreth dy javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë ia njohu të drejtën kompanisë “Dardafon” për përmbarim të borxhit milionësh.

Telekomi në ndërkohë kishte kërkuar ndihmë nga Qeveria dhe Prokuroria për shpëtimin e ndërmarrjes nga kjo ngjarje, por nuk kishte marrë përgjigje konkrete.

Por, dy ditë më parë, përmbaruesi privat që përfaqëson kompaninë “Dardafon.Net”, lëshoi një urdhër përmes së cilit ka urdhëruar bankën “Raiffeisen” që nga llogaria e Telekomit të Kosovës të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore, shpenzimet kontestimore dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore brenda 60 minutave pas pranimit të këtij urdhri.

“Detyrohet – Raiffeisen Bank, që nga debitori ‘Telekomi i Kosovës’, SH.A., shoqëri aksionare e regjistruar në ARBK me numër identifikues të regjistrimit NUI: 811288001, me numër të regjistrimit të biznesit 70280741, brenda afatit prej (60) minutave pas pranimit të këtij urdhri, të bëjë ekzekutimin e borxhit kryesor, kamatës ligjore, shpenzimet e procedurës përmbarimore si dhe zbatimin e efikasitetit të Zyrës Përmbarimore, në vlerat si më poshtë: Shumën prej 24,684,003,15 Euro në emër të borxhit kryesor; Shumën prej 2,150,00 euro në emër të shpenzimeve konstestimore; Shumën prej 871,40 euro në emër të shpenzimeve të procedurës përmbarimore; Shumën prej 374,001,14 euro në emër të efikasitetit për zbatim të përmbarimit dhe; Shumën prej 1,728,506,93 euro në emër të kamatës ligjore. Gjithsej: 26,789,532.62 Euro”, thuhej në urdhrin për transfer të lëshuar nga përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha.

Pas kësaj, Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, i emëruar muaj më parë nga qeveria Kurti, dha dorëheqje.

Zhvillimet në Telekom bënë që Sindikata e kësaj ndërmarrje të thërrasë një protestë për ditën e sotme, e cila u mbajt para Qeverisë së Kosovës, ku morën pjesë shumë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Protesta, që ishte paraparë që të mbahej prej orës 13:00 deri në 24:00, përfundoi më herët për arsye se Kryeministri Avdullah Hoti zhvilloi një takim me sindikalistët e ndërmarrjes të cilëve iu premtoi zgjidhje deri në javën e ardhshme.

Kështu deklaroi për “Zërin”, Muhamet Xhemajli, kryetari i Sindikatës Profesionale të PTK-së i cili tha se kryeministri ka premtuar se të gjithë punëtorët do të marrin pagën e tyre dhe nuk do të mbetet askush pa punë.

“Kërkesa e Kryeministrit ka qenë me ndërpre grevën pasi që na ka premtuar zgjidhje të shpejtë për Telekomin dhe nga mesi i javës tjetër do të informohemi saktësisht. Detaje nuk na ka dhënë, por na ka premtuar se askush nuk do të jetë pa pagë dhe pa punë, nuk do të lejojmë me falimentu Telekomi. Kërkesa jonë ka qenë me marrë detaje por nuk kemi marrë, ne kemi marrë zotimin nga Kryeministri se problematika e Telekomit do të zgjidhet deri në fund të javës së tjetër”, tha Xhemajli në një prononcim për “Zërin.

Ai tha se kryeministri Hoti ka deklaruar se javën e ardhme do të emërohet Bordi i ri i Telekomit.

“Të dy sindikatat kemi vendosë me ndalë grevën deri nga mesi i javës tjetër, pasi që jemi informuar se javën e ardhshme do të emërohet edhe Bordi i ri, pasi që me ardhjen e këtij Bordi, Kryeministri na ka premtuar edhe zgjidhje”, deklaroi ai.

Xhemajlaj shtoi se në rast se nuk do të ketë zgjedhje, do të vazhdojë protesta dhe greva.

Kuvendi i Kosovës sot ka debatuar për situatën në Telekom, mirëpo seanca u ndërpre për të vazhduar nesër në orën 10:00. /Zëri