Aleanca Kosovare e Bizneseve paralajmëron krizë ekonomike

Aleanca Kosovare e Bizneseve paralajmëron krizë ekonomike

Ekonomia July 14, 2020 - 14:38

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) e quan shqetësuese gjendjen ekonomike në vend. Në një komunikatë për media AKB-ja ka bërë të ditur se vala e parë e pandemisë, që filloi nga muaji marsi dhe vazhdoi deri në fillim të qershorit, ishte goditje e paparashikueshme dhe la pasoja të rënda ekonomike.

Sipas kësaj Aleance, mosrespektimi i masave e solli valën e dytë më herët se që ishte parashikuar. “Institucionet shtetërore të atëhershme mendonin se duke e izoluar komplet ekonominë, lëvizjen e bizneseve dhe të qytetarëve do t’i shpëtojnë pandemisë më lehtë, por për këtë nuk kishte as një studim që vërtetonte këto vendime të tyre, prandaj AKB-ja ka dërguar rekomandime për të tejkaluar krizën, por qeveria e kaluar nuk i ka marrë seriozisht vlerësimet e goditjes ekonomike dhe pasojat e saj që po i vuajmë edhe sot”, thuhet në komunikatë.

AKB-ja ka njoftuar se ekonomia e vendit gjendet në një situatë të rëndë si pasojë e masave të mëparshme. Me masat e reja që ka ndërmarr Qeveria AKB-ja paralajmëron se do të ketë pasoja tjera ekonomike, ku kufizohen shumë organizime publike e sidomos nga kjo do të goditet sektori i gastronomisë, turizmit, transportit dhe shërbimeve tjera, të cilët edhe më herët ishin të goditur edhe më rëndë.

Ndonëse vala e dytë sipas institucioneve vendore dhe ndërkombëtare do të godasë sërish vendet në vjeshtë, AKB-ja vlerëson se në bazë të shifrave të të infektuarve dhe të vdekjeve tashmë vendi ka hyrë në fazën e dytë, e cila sipas kësaj organizate kërkon më shumë përkushtim, respektim të udhëzimeve dhe të masave për të tejkaluar më lehtë pandeminë shëndetësore dhe ekonomike.

“Këto do të kalohen më lehtë nëse ka unitet dhe bashkëveprim politik dhe ndërinstitucional për të marrë vendime strategjike për tejkalim të situatës dhe kjo është barrë dhe përgjegjësi e të gjitha subjekteve politike, të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

AKB-ja thekson se si pasojë e mosrespektimit të masave nga ana e të gjithë qytetarëve, konsumatorëve, po pëson ekonomia dhe kufizimi i tyre do të ulë konsumin për të cilën do të preken gjithë sektorët ekonomikë.

“AKB-ja kërkon nga Bizneset dhe konsumatorët që të respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria dhe IKSHPK-ja, në mënyrë që të mos merren vendime tjera shtesë, për të cilat do të ketë pasoja edhe më të mëdha në ekonominë kosovare, që edhe kështu është e kufizuar dhe e varfër, në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të EU-së”, thuhet më tej në komunikatë. /Zëri