Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Kuvendi mban “peng” ekzekutimin e mjeteve për Pakon Emergjente Fiskale

Kuvendi mban “peng” ekzekutimin e mjeteve për Pakon Emergjente Fiskale

Ekonomia July 10, 2020 - 15:40

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, gjatë pjesëmarrjes në forumin virtual me biznese, i organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK), ka thënë se dikasteri që udhëheq ajo është në pritje të Kuvendit që të aprovojë buxhetin e rishikuar, në mënyrë që t’i ekzekutojë mjetet për Pakon Emergjente Fiskale, si dhe në pakon e rimëkëmbjes, raporton “Zeri.info”.

“Te pakoja për rimëkëmbje ekonomike jemi fokusuar shumë te qasja në financa dhe instrumente të tilla, prej të cilave bizneset mund të përfitojnë duke u bazuar në parimet dhe kriteret e njëjta, por edhe ky përfitim mund të jetë shumë afatgjatë. Jemi duke punuar me Fondin për Garanci Kreditore që të hapen disa dritare për disa sektorë. Ne kemi marrë përgjegjësinë që gjatë këtij viti dhe vitit tjetër ta rrisim kapitalin e Fondit për Garanci Kreditore deri në 100 milionë euro dhe mbulueshmëria e rrezikut për këto kredi të jetë deri në 80 për qind”, tha Bajrami.

Në këtë forum, ku u diskutua për mbështetjen e sektorit privat dhe bizneseve të cilat janë goditur më së shumti nga pandemia, Bajrami tha se me vendimin e Qeverisë qytetarët do të kenë mundësinë që në mënyrë vullnetare të tërheqin 10 për qind nga mjetet e tyre të kursyera të fondit pensional.

Vëmendje në Qeveri, sipas saj, do të ketë edhe sektori i teknologjisë, i cili i ofron punësim rinisë së Kosovës. Ndërsa ka paralajmëruar se gastronomia do të ketë ulje në tatim.

“Është krijuar një grup punues për përpilimin e udhëzimit administrativ për pushimet tatimore për investimet e reja, në të njëjtën kohë në ditët në vijim do të përpilohet edhe kalendari i akcizës, i cili do të rriste parashikueshmërinë në mesin e bizneseve që u nënshtrohen detyrimeve të akcizës”.

Me qëllim të përkrahjes së sektorit të gastronomisë, ajo ka bërë të ditur se po rishikohet propozimi i komunitetit të biznesit për ulje të tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18 për qind në 8 për qind. /Zëri