Oda Amerikane: Themelimi i gjykatës komerciale rrit sigurinë e të bërit biznes

Oda Amerikane: Themelimi i gjykatës komerciale rrit sigurinë e të bërit biznes

Ekonomia July 08, 2020 - 15:27

Oda Amerikane ka vlerësuar pozitivisht themelimin e gjykatës komerciale, e cila pritet të jetësohet deri në vjeshtë.

Në një njoftim për media Oda Amerikane i sheh si inkurajuese deklaratat e Ministrisë së Drejtësisë për finalizimin e legjislacionit për themelimin e gjykatës komerciale, sidomos për shkak të efikasitetit momentalisht të ulët dhe vonesave në trajtimin e rasteve të natyrës komerciale, me të cilat ballafaqohet sektori privat në Kosovë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që fuqizimi i sundimit të ligjit dhe i drejtësisë komerciale në veçanti kanë për investimet e jashtme dhe të brendshme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë për shtyrjen përpara të iniciativës së rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit”, thuhet në komunikatë, transmeton “Zeri.info”.

Oda Amerikane konsideron se ofrimi i një mekanizmi të shpejtë dhe profesional për zgjidhjen e kontesteve të bizneseve do të përmirësonte zbatueshmërinë e kontratave, si dhe do të rriste sigurinë e të bërit biznes, duke përmirësuar rrjedhimisht edhe imazhin e Kosovës para investitorëve të huaj.

Në njoftim thuhet se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i mirëpret edhe planet për krijimin e një divizioni të veçantë për trajtimin e kontesteve të investitorëve të huaj, gjë që pashmangshëm do të ndikonte në rritjen e investimeve të huaja dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike të Republikës së Kosovës. /Zëri