OEAK-u thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë

OEAK-u thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë

Ekonomia July 06, 2020 - 14:17

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje bizneseve dhe qytetarëve që t’i zbatojnë masat për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Përmes një komunikate për media, OEAK-u e pranon se masat e vendosura nga Qeveria me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit kanë ndikuar rëndë në sektorin privat dhe në ekonominë e vendit, ndonëse thotë se duhet të ruhet shëndeti publik.

“Masat administrative të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 kanë ndikuar rëndë në sektorin privat dhe në ekonominë e vendit në përgjithësi. Megjithatë, me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë, Oda Ekonomike Amerikane u bën thirrje bizneseve dhe qytetarëve që t’i zbatojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore, meqë përkeqësimi i situatës epidemiologjike do të rëndojë edhe ekonominë e vendit dhe do ta vonojë rimëkëmbjen ekonomike”, thuhet në këtë komunikatë, transmeton “Zeri.info”.

Në fund, Oda Amerikane u bën thirrje institucioneve të vendit që masat t’i marrin në dakordim të plotë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ashtu që të shmangen paqartësitë e mundshme me qëllim të zbatimit të plotë të masave. /Zëri