BQK-ja, OEK-u dhe OEAK-u koordinojnë propozimet për rimëkëmbjen ekonomike

BQK-ja, OEK-u dhe OEAK-u koordinojnë propozimet për rimëkëmbjen ekonomike

Ekonomia July 02, 2020 - 11:49

Në kuadër të takimeve të rregullta me qëllim të koordinimit të propozimeve të përbashkëta për rimëkëmbjen ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, priti në takim kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, si dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Mehmeti prezantoi propozimet e BQK-së për institucionet qeveritare, duke theksuar nevojën e mbështetjes më të madhe për industrinë e prodhimit në vend. Në të njëjtën kohë guvernatori i BQK-së sqaroi edhe dispozitat e Udhëzuesit për ristrukturimin e kredive për shkak të COVID-19, duke shprehur besimin se bankat komerciale do t’u dalin në ndihmë ndërmarrjeve të prekura, raporton “Zeri.info”.

Drejtuesit e odave ekonomike në anën tjetër elaboruan propozimet e të dyja odave përkatëse, të cilat përfshijnë rekomandime për përkrahjen financiare, por edhe për lehtësira fiskale për bizneset.

Propozimet e përbashkëta të BQK-së, të OEK-ut dhe OEAK-ut përfshijnë edhe pikat e intervenimit legjislativ, të cilat do të mundësonin zbatimin e masave të propozuara.