Infektuar: 5118
Shëruar: 2370
Vdekur: 108
I tërë eksporti shqiptar i grurit erdhi në Kosovë më 2019
Foto: MBZHR Shqipëri

I tërë eksporti shqiptar i grurit erdhi në Kosovë më 2019

Ekonomia June 23, 2020 - 16:36

Ministri i Bujqësisë i Shqipërisë, Bledi Çuçi, ka bërë të ditur se e tërë sasia e grurit të eksportuar nga Shqipëria gjatë vitit 2019, ka qenë në Kosovë.

Çuçi këtë informatë e dha teksa vizitoi fermerët e drithit në Dropull, në qarkun Gjirokastër, ku edhe ka nisur korrja e grurit.

“Për vitin 2019 eksporti i grurit ka qenë rreth 650 ton, sasi e cila është eksportuar e gjitha në Kosovë. Në fillim të vitit 2020, nisur edhe nga situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, importi i grurit për periudhën janar – maj 2020 ka qenë 126 mijë ton ose 75.7% më shumë se për të njëjtën periudhë në vitin 2019”, ka theksuar ministri shqiptar i Bujqësisë, raporton Zeri.info.

Gjatë vitit 2019 qarku Gjirokastër kishte të kultivuar rreth 2 mijë Ha me grurë ndërsa prodhimi ishte 6, 228 ton. Shqipëria plotëson rreth 48% të nevojave për grurë me prodhimin vendas. Pjesa tjetër importohet nga jashtë.

Ndërsa përsa i përket eksporteve, ministri i Bujqësisë i Shqipërisë tha se ato janë në nivele shumë të ulëta.

Çuçi këto informata i ndau teksa vizitoi fermën “Agro Beqari”, e cila tha se është një sipërmarrje familjare, ku punojnë me përkushtim Kadriu me dy djemtë e tij, Klintonin dhe Eminin.

Ai tha se prodhimi i kësaj ferme, që është mesatarisht 2 mijë ton drithë çdo vit, shitet në tregun vendas tek fabrikat e përpunimit të drithit.