Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Ndalohen kamionët me mallra serbe edhe në Jarinje

Ndalohen kamionët me mallra serbe edhe në Jarinje

Ekonomia June 02, 2020 - 15:17

Gjatë ditës së sotme në pikën kufitare të Jarnijes, në veri të vendit, janë ndaluar kamionët me mallra nga Serbia.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar për “Zërin” se këta kamionë kanë mbetur jashtë kufirit të Republikës së Kosovës, pasi dërgesa nuk ishte në përputhje me vendimin e lëshuar nga Qeveria.

“Janë ndaluar kamionë në pikën kufitare të Jarinjes, sepse nuk janë në përputhje me vendimin e Qeverisë, për pasojë nuk lejohen të hyjnë brenda. Saktësisht nuk e di se sa kamionë nuk janë lejuar të hyjnë në vend”, ka konfirmuar Stavileci për “Zërin”.

Shumica e kamionëve të kthyer mbrapsht janë parkuar në skaj të rrugës, që çon nga Jarinja që nga nisja e zbatimit të masave të reja të reciprocitetit tregtar. Shoferët e këtyre kamionëve, siç raporton Televizioni Publik serb, janë duke pritur nga kompanitë për të cilat po transportojnë mallra për t’u dhënë atyre udhëzime të reja ose për të marrë leje të reja për të hyrë në Kosovë, siç kërkojnë autoritetet vendore.

Ndërkaq, ky medium thotë se kamionët që territorin e Kosovës e kishin për qëllim transiti janë lejuar të kalojnë.

Qeveria e Kosovës, më 30 maj, mori vendim të ri për reciprocitetin tregtar me Serbinë. Në vendim u tha se asnjë mall nuk do të lejohet të hyjë nga Serbia në Kosovë, nëse në dokumentacion nuk e ka të shkruar vendin e destinimit “Republika e Kosovës”. Po ashtu, e njëjta vlen edhe për mallrat që eksportohen nga Kosova në Serbi, të cilat duhet ta kenë të shkruar vendin e origjinës “Republika e Kosovës”. /Zëri