Çka thotë marrëveshja e CEFTA-s për reciprocitetin tregtar?

Çka thotë marrëveshja e CEFTA-s për reciprocitetin tregtar?

Ekonomia June 01, 2020 - 14:37

Një zonë e tregut të lirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor është synuar moti. Mekanizmi që synon të bëjë këtë është Marrëveshja e CEFTA-s, pjesë e së cilës Kosova është nga muaji korrik i vitit 2007. Por nga përfundimi i luftës në Kosovë Serbia s’i ka pranuar në tregun e vet mallrat me mbishkrimin “Republika e Kosovës” e këtë emërtim s’ka pranuar t’ua vërë as produkteve të veta, që i eksporton në vendin tonë.

Me këtë pretekst dy ditë më herët Qeveria e drejtuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij ka miratuar vendimin e vendosjes së masave të reja të reciprocitetit për shtetin e Serbisë.

Në vendimin e ri thuhet se mallrat që vijnë nga Serbia në Kosovë nuk guxojnë të hyjnë nëse në dokumentacionin përkatës nuk e përmendin termin “Republika e Kosovës”.

Ndaj këtij vendimi doli kundër emisari i BE-së për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak.

Ai tha se “veprime të këtilla të njëanshme minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë”.

Por Kurti, pas postimit të Lajçakut, tha se t’ia mohosh parimin e reciprocitetit Kosovës është t’ia mohosh ushtrimin e të drejtave të veta sovrane. “Kosova dëshiron raporte të paanshme dhe të drejta me fqinjët e saj”, shkroi Kurti.

Edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani i doli në mbështetje vendimit qeveritar, duke thënë se një parim i tillë parashihet edhe me Marrëveshjen e CEFTA-s.

Por çka në fakt parasheh marrëveshja e CEFTA-s në këtë aspekt?

Një pjesë të mirë në këtë marrëveshje e zë origjina e mallit. Në të përcaktohet mirë se ashtu si çdo njeri që i përket një vendi të veçantë, edhe mallrat kanë një origjinë të caktuar. Në rastin kur malli prodhohet krejtësisht në një vend, në rastin tonë në Kosovë, origjina e tij është e qartë. Pra kjo nënkupton vendin e saktë të origjinës nga ku importohet ose eksportohet malli.

Për t’u krijuar vendeve pjesëmarrëse mundësi për t’i mbrojtur sektorët ose aktivitet e tyre CEFTA lejon përdorimin e instrumenteve të antidumpingut dhe masave mbrojtëse.

Antidumpingu është një politikë që lejon ngritjen e tarifave doganore ose vendosjen e kufizimeve në import kur vihet re që prodhimi i një vendi të caktuar shitet në tregun e një vendi tjetër nën çmimin real. Masat mbrojtëse përdoren në mënyrë të ngjashme si antidumpingu, por ato ndërmerren edhe kur çmimi i importit është mbi koston e prodhimit. E rëndësishme është që të provohet se importi shkakton dëmtim serioz të sektorëve të caktuar.

Tutje në marrëveshje thuhet se në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale CEFTA synon mbrojtje më efektive të këtyre të drejtave. Kjo pikë ka të bëjë drejtpërsëdrejti me të drejtat e kompanisë që prodhon mallin, pra mostjetërsimin e pronësisë së emrit të tyre e as të investitorëve.

Pashmangshëm kjo nënkupton edhe të shteteve palë në këtë marrëveshje. Marrëveshja për tregti të lirë e CEFTA-s synon që të krijojë një treg të përbashkët të lirë ndërmjet gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor: Kosovës, Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Po ashtu, nëpërmjet CEFTA-s, gjashtë shtetet e BP-së u mobilizuan për t’iu qasur institucioneve politike, ligjore dhe ekonomike të Bashkimit Evropian.