Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
Sqarohet BQK-ja: Afati i pagesës së kredive është shtyrë vetëm për tre muajt e pandemisë

Sqarohet BQK-ja: Afati i pagesës së kredive është shtyrë vetëm për tre muajt e pandemisë

Ekonomia June 01, 2020 - 11:02

Banka Qendrore e Kosovës ka dalë sot me një sqarim në lidhje me vendimin për shtyrjen e afatit të pagesës së kësteve të kredive.

BQK-ja ka sqaruar se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri më 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare si rezultat i rënies së të hyrave personale ose biznesore për shkak të COVID-19, transmeton “Zeri.info”.

“Me qëllim të informimit të drejtë të publikut, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dëshiron të sqarojë edhe një herë se nuk është marrë asnjë vendim i ri për shtyrje të sërishme të afatit të pagesës së kësteve të kredive. Edhe një herë sqarojmë se në fuqi mbetet vendimi që afati i shtyrjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri më 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare si rezultat i rënies së të hyrave personale ose biznesore për shkak të COVID-19”, thuhet në sqarimin e BQK-së.

BQK-ja ka përsëritur se sipas këtij vendimi, gjatë kësaj periudhe institucionet kredidhënëse nuk do të aplikojnë interes ndëshkues, nuk do të aplikojnë ndryshim të klasifikimit kreditor ndaj kredimarrësve dhe BQK-ja nuk do të kërkojë provizione shtesë nga këto institucione për kreditë e shtyra.

“Ndërkohë, interesi i rregullt për këta tre muaj do të përllogaritet, pagesa e të cilit do të shpërndahet për periudhë së paku gjashtëmujore ose më herët, në rastet e maturimit të kredive para kësaj periudhe”, thuhet në sqarim.

BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë. /Zëri