Pakënaqshmëria qytetare me drejtimin ekonomik të Kosovës, mbi 60 për qind

Pakënaqshmëria qytetare me drejtimin ekonomik të Kosovës, mbi 60 për qind

Ekonomia May 30, 2020 - 13:34

Raporti i UNDP-së në lidhje me Pulsin Publik, tregon se 61.2 për qind nga gjithsej 1306 qytetarë të anketuar, janë shumë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të vendit, në krahasim me 63.47 sa ishte nëntorin e vitit 2019, përcjell “Zëri”.

Përqindja e pakënaqësisë me drejtimin ekonomik, sipas këtij raporti, është e ndarë në mes 61.1 për qind meshkuj me 59.4 për qind femra.

“Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë tregojnë se kënaqshmëria me drejtimin ekonomik të Kosovës midis femrave dhe meshkujve është afërsisht e njëjtë: 10.5% e femrave janë të kënaqura ose shumë të kënaqura, dhe 10.7% e meshkujve janë të kënaqur dhe shumë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Ne anën tjetër, 62.1% e meshkujve janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës, kundrejt 59.4 % të femrave që ndihen njësoj”, thuhet në raportin e UNDP-së.

Në të njëjtin raport në lidhje me kënaqshmerinë e drejtimit ekonomik të Kosovës, vetëm 2.1 për qind e serbëve të Kosovës janë shprehur të kënaqur në këtë aspekt.

“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike sugjerojnë se serbët e Kosovës janë më pak të pakënaqur (54.2%) sesa shqiptarët e Kosovës (61.5%) dhe pjesëtarët e komuniteteve të tjera të Kosovës (58.9%). Në të njëjtën kohë, vetëm 2.1% e serbëve të Kosovës raportuan kënaqshmëri me drejtimin ekonomik të Kosovës, krahasuar me 11.2% të shqiptarëve të Kosovës dhe 7.8% të pjesëtarëve të komuniteteve të tjera të Kosovës”, thuhet në raport.

Ndërsa niveli i kënaqshmërisë rreth drejtimit ekonomik në vendin tonë, për dallim nga nëntori i vitit 2019, kur gjithsej 10.4 për qind e qytetarëve ishin të kënaqur, nga rezultatet e raportit të fundit të UNDP-së, bëhet e ditur së kjo përqindje ka shënuare ngritje shumë të lehtë, në 10.7 për qind, por ka një rënie nga vlera 12.3% e regjistruar në nëntor 2018. /Zëri