Infektuar: 4715
Shëruar: 2227
Vdekur: 101
Ngritja e pagës në sektorin publik, 3 fish më e lartë se në atë privat

Ngritja e pagës në sektorin publik, 3 fish më e lartë se në atë privat

Ekonomia May 29, 2020 - 18:36

Ligji për Paga në sektorin publik ishte diskutuar mjaft, duke ngjallur reagime dhe pakënaqësi nga të gjitha profilet e profesionistëve e punëtorëve të sektorit publik. Me kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit, validiteti kushtetues i këtij ligji i ishte drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në vendimin e parë, Kushtetuesja e pezulloi zbatimin e këtij ligji deri më 30 mars, e më vonë i njëjti u pezullua sërish deri më 30 qershor, 2020, raporton Zeri.info. Jo pak herë edhe punëtorët e sektorit privat kanë protestuar për ngritje të pagës minimale. Dhjetorin e kaluar, dhjetëra qytetarë patën protestuar para objektit të qeverisë me kërkesat “Jo kontrata nën 350 euro”.

Pjesë e sektorit publik janë të gjithë të punësuarit, të cilët marrin pagë nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, pa Administratën Publike, Organizatat Jo-Fitimprurëse dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Ndërsa sektori privat përfshin të punësuarit, të cilët punojnë në ndërmarrjet private (bizneset private), për të cilët ndërmarrjet paguajnë taksat dhe kontributet e tyre.

Por, të gjithë këta punëtorë, të sektorit publik e privat në Kosovë, do të ishin shumë më të pakënaqur me pagat në vitin 2012.

Krahasuar me atë kohë, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vitin që lamë pas, paga mesatare bruto ka shënuar ngritje për 171 euro, duke u ngritur në 602 euro.

Derisa, paga neto nga 384 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 537 euro.

Në ngritjen e pagës mesatare në Kosovë shise më së shumti ka sektori publik.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2019 584 euro, për 177 euro më e lartë. Përkthyer në neto i bie 519 euro, apo 166 euro më shumë.

Pashmangshëm edhe pagat në sektorin privat kanë shënuar ngritje, por jo në suazën e atyre të sektorit publik. Në relacionin 2012-2019, paga në sektorin privat është rritur për 53 euro.

Kjo ndikoi që paga neto që fitonte punëtori në sektorin privat, nga 333 euro në vitin 2012 të ngrihet në 380 euro në vitin 2019.

Tradicionalisht në shtetet e Evropës Perëndimore, pagat në sektorin publik janë për një përqindje të dalluar më të ulëta se ato në sektorin privat.

Në Kosovë është e kundërta.

Pagat në sektorin publik për 139 euro janë më të larta sesa ato në sektorin privat.

Ngritja për 166 euro e pagës në sektorin publik ndër vite, është ngritje mbi 3 fish më e lartë se ajo në sektorin privat.

Paga në rritje, ndër vite kanë marrë edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Ndërmarrjet publike përfshijnë të gjitha ndërmarrjet, që janë në pronësi publike, ose janë themeluar me fonde publike, ose sipas ligjit publik dhe nuk janë autoritete publike, ose pjesë të autoriteteve publike.

Vitin e kaluar, paga mesatare neto për punëtorët e ndërmarrjeve publike ishte 707 euro, 242 euro më e lartë se në vitin 2012.

Ndryshe, paga bruto është shuma e përgjithshme e pagës pa tatim dhe pa kontributet e zbritura (pension/kursime pensionale, sigurime shëndetësore, etj.).

Ndërsa paga neto nënkupton pjesën e mbetur të pagës llogaritur tatimin dhe kontributet e zbritura.

Paga minimale është paga më e ulët e lejuar, zakonisht e rregulluar përmes ligjeve shtetërore. Në Kosovë, aktualisht paga minimale është e kategorizuar në 130 euro për të punësuarit deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35-vjeçare.

Por, cilët janë sektorët më të paguar në Kosovë?

Sipas statistikave që ka publikuar ASK, sektori më i paguar është furnizimi me energji elektrike ku paga neto sillet rreth 811 euro.

Sigurisht fusha e informimit dhe komunikimit me zhvillimin e teknologjisë dhe digjitalizimit mbetet një sektor mjaft i lakmuar e i paguar për punëkryersit. Kjo punë në Kosovë paguhet rreth 704 euro në muaj.

Kosova me një ekonomi të koncentruar në industri të lehtë, biznese të vogla e bujqësi, ka një zhvillim mesatar ekonomik vjetor prej 3-5%. Paga mesatare neto në sektorin e bujqësisë sipas të dhënave të ASK-së, sillet rreth 316 euro neto.

Për të gjithë që dëshirojnë të integrohen në tregun e punës në Kosovë, këto janë pagat neto për një muaj: xehetari dhe gurëthyes – 584 euro, prodhim – 310, ndërtimtari – 444, tregëti me shumicë dhe pakicë – 322 euro, transporti dhe maganizimi – 421 euro, akomodim dhe aktiviteteve për ushqim – 237 euro, aktivitete financiare dhe të sigurimit – 507, aktivitet të patundshmërisë - 381 euro, aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike - 454 euro, administratë publike dhe mbrojtja – 540 euro, Arsim 439 euro, shëndetësi dhe punë të shërbimeve sociale – 496 euro, Art, zbavitje dhe rekreacion – 384 euro.