UNDP-ja i dhuron 25 tabletë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave

UNDP-ja i dhuron 25 tabletë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave

Ekonomia May 27, 2020 - 16:49

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, si reagim të menjëhershëm ndaj COVID-19 dhe në përputhje me mandatin për të zhdukur varfërinë dhe për të zvogëluar pabarazitë, i dhuroi sot 25 tabletë Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).

Pajisjet do t'i mundësojnë ekipeve në terren të AME-s si Qendrat Lokale Operative të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë më efektive duke u mundësuar koordinim të përmirësuar, komunikim në kohë reale dhe shkëmbim të të dhënave.

Sipas njoftimit të UNDP-së, thuhet se mjetet e teknologjisë informative do t'u japin mundësi zyrtarëve të punojnë pa shkëputje edhe nga shtëpia, do të lehtësojnë komunikimin me qytetarë duke përmirësuar kështu cilësinë dhe afatin kohor të ofrimit të shërbimeve.

Fadil Kodra, drejtor i Përgjithshëm i AME-së, shprehu mirënjohje dhe falënderim për përkrahjen e UNDP-së me këtë donacion, mjete këto të cilat tha se do të lehtësojnë komunikimin dhe koordinimin e veprimeve nga Qendrat Operative Emergjente 112 me institucionet lokale dhe organizatat ndërvepruese në menaxhim të pandemisë COVID 19.

“Bashkëpunimi dhe mbështetja nga UNDP për AME-në është e një rëndësie të veçantë, prandaj, së bashku vazhdojmë drejt thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve për arritjet e admiruara”, deklaroi Kodra.

Ndërsa Valbona Bogujevci, ndihmese e Përfaqësueses së Përhershme dhe Koordinatore e Programit në UNDP-së, tha se UNDP-ja është e përkushtuar që në vazhdimësi të mbështesë institucionet e Kosovës që edhe në kohë pandemie të vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë sa më efikase.

“Veçanërisht në përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit në kohë reale të respondentëve të vijës së parë si Qendrat Lokale Operative (që veprojnë) 24/7 dhe Këshillat Komunal për Zbulim dhe Shpëtim që të jenë në gjendje që në mënyrë efikase të mbrojnë jetët e njerëzve”, ka deklaruar Bogujevci. /Zëri

Image

Image