Mbi 720 mijë euro është ndihma e diasporës në fondin e Qeverisë

Mbi 720 mijë euro është ndihma e diasporës në fondin e Qeverisë

Ekonomia May 22, 2020 - 15:12

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, qysh në ditët e para të pandemisë kërkoi nga diaspora që ta ndihmojnë Qeverinë me mjete financiare për të luftuar koronavirusin, duke hapur një llogari të posaçme bankare, e cila iu dedikua menaxhimit të pandemisë.

Ndërsa sot në një njoftim për medie Kurti tha se nga mbështetja financiare e diasporës tashmë kjo ndihmesë ka kaluar vlerën e 720 mijë eurove, përcjell “Zeri.info”.

Ai tha se diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Kosovën dhe se kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në programin e Qeverisë.

Në këtë drejtim Kurti tha se po mendojnë ta fuqizojnë rolin ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta te vendimmarrësit politikë dhe te korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që tha se do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Tutje, kreu në detyrë i Qeverisë tha se diasporën e shohin edhe si kapital human, përpos financiar.

“Për këtë arsye ne do të fokusohemi në krijimin e një programi nacional, që në bazë ka transferimin e dijes dhe të përvojës nga diaspora në Kosovë. Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha dhe me qëllim të ristrukturimit të përfaqësimit, kjo qeveri ka bashkuar Ministrinë e Diasporës dhe të Investimeve Strategjike me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për këtë jemi bazuar në modele të suksesshme ndërkombëtare, sikurse ai i Irlandës”, citohet të ketë thënë Kurti gjatë një bashkëbisedimi virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Evropë.

Kurti theksoi se derisa vendi ende është duke punuar me vëmendje të plotë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, bashkë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se kanë filluar lehtësimin e masave në përputhje me situatën epidemiologjike, duke uruar që së shpejti të hapen edhe kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarë.

Në ndërkohë, ai tha se Ministria e Financave dhe e Transfereve është në përgatitje e sipër të pakos së dytë fiskale, atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila ndër të tjera për qëllim do ta ketë riorientimin e ekonomisë dhe përfshirjen sa më aktive të diasporës në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik.

Në këtë bashkëbisedim të përfshirë ishin: Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (RRBDSh), Nazmi Viqa, kryetar i Unionit të Bizneseve në Gjermani, Qamil Isufi, kryetar i RRBDSH-së në Zvicër, Flamur Mavraj, kryetar i RRBDSH-së në Norvegji, Vat Marashi, kryetar i RRBDSH-së në Itali, Omer Nura, kryetar i RRBDSH-së në Finlandë, Nestor Dede, kryetar i RRBDSH-së në Greqi, Ilir Seferi, nënkryetar i fondacionit “Besa”, Bavari dhe ndërmarrësi Ismet Mehmeti, nga Franca.