Infektuar: 4307
Shëruar: 2095
Vdekur: 94
Kuçi Bislimit: Deçanasit s’janë numra për t’i kalkuluar, por njerëz që kanë humbur shumë gjatë pandemisë
Foto: Laura Hasani

Kuçi Bislimit: Deçanasit s’janë numra për t’i kalkuluar, por njerëz që kanë humbur shumë gjatë pandemisë

Ekonomia May 20, 2020 - 14:18

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka reaguar ndaj një deklarate të ministrit në detyrë të Financave, Besnik Bislimi, për ndarjen e ndihmave nëpër komuna.

Bislimi kishte thënë se Komuna e Deçanit do të marrë më pak ndihma pasi nuk ka asnjë të infektuar nga sëmundja COVID-19, deklaratë për të cilën Kuçi tha se të gjitha komunat e kanë të vështirë rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Ministri Bislimi, si kalkulant i ftohtë, arriti të anashkalojë një komunë të tërë, me plot qytetarë e biznese që mbetën pa punë prej vendimeve të qeverisë së tij dhe, pa hezituar, u tha që për ta ndihma nuk do të jetë e barabartë, ani pse dëmet që do t’i bartin mbi supet e veta do të jenë të barabarta me çdo qytetar të Kosovës”, tha Kuçi në një reagim të postuar në “Facebook”.

Ajo, duke iu drejtuar ministrit Bislimi, thotë më tej se qytetarët e Deçanit nuk janë numra për t’i kalkuluar, po njerëz që kanë humbur shumë gjatë këtyre muajve të pandemisë dhe rimëkëmbja po u vështirësohet, transmeton “Zeri.info”.

“Dinjiteti dhe mirëqenia ka kuptim kur vlen për të gjithë, barabartë, pa dallime e diskriminime, pavarësisht numrit të të infektuarve”.

Sipas saj, ministri në detyrë i Financave ka diskriminuar këtë komunë.

“Ministri i Financave, Besnik Bislimi, bëri një diskriminim kalkulimi, një gabim, për të cilat tashmë po njihet”, përfundoi ajo. /Zëri