Infektuar: 1110
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Kërkohet zbatimi i masës numër 13 për mbështetjen e eksportuesve në Kosovë

Kërkohet zbatimi i masës numër 13 për mbështetjen e eksportuesve në Kosovë

Ekonomia May 20, 2020 - 12:40

Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë kanë shprehur shqetësim për masat kufizuese, që thonë se kanë pasur ndikim negativ në aktivitetin ekonomik, transmeton “Zeri.info”.

Këto tri organizata, të cilat përfaqësojnë sektorin privat, thonë se Qeveria në detyrë duhet të zbatojë në tërësi dhe sa më shpejt të jetë e mundur të gjitha masat nga Pakoja Emergjente Fiskale.

OEK-u, OEAK-u dhe KIE-ja thonë se për shkak të masave kufizuese ndërmarrje prodhuese që operojnë në Kosovë po përballen me vështirësi të shumta, madje një numër i tyre edhe kanë ndërprerë aktivitetin e tyre plotësisht.

Sipas tyre, këto vështirësi lidhen edhe me rënien e kërkesës brenda e jashtë vendit në rastin e ndërmarrjeve që eksportojnë.

“Rënia e të hyrave të këtyre ndërmarrjeve e bën më të vështirë mbulimin e shpenzimeve operative, duke përfshirë këtu edhe pagat e kjo rrjedhimisht rrezikon reduktimin e pagesës për punonjësit ose edhe mbylljen e vendeve të punës, por edhe thellimin e deficitit tregtar të vendit”, thuhet në reagimin e këtyre organizatave.

Po ashtu ata kërkojnë që Ministria e Financave dhe Transfereve (MFT) të nisë menjëherë zbatimin e masës numër 13 për mbështetjen e eksportuesve në Kosovë.

“Për të mbështetur ndërmarrjet eksportuese, edhe ashtu të pakta në numër, Ministria e Financave dhe Transfereve duhet që menjëherë të nisë me zbatimin e masës numër 13 për mbështetjen e eksportuesve në Kosovë, për çfarë kërkohet nga MEPTINIS-i që me urgjencë të nisë procesin e konsultimit me MFT-në, KIESA-n, ATK-në, Doganën dhe me odat ekonomike për përcaktimin e kritereve për ofrimin e përkrahjes për eksportuesit nga Kosova, siç parashihet me planin operues për zbatimin e Pakos Emergjente Fiskale”, thuhet më tej në njoftim.

Vonesa në disbursimin e shumës prej 10 milionë eurosh për eksportuesit, sipas OEK-ut, OEAK-ut dhe KIE-së, do ta minimizojë efektin e mundshëm të tyre në ekonomi për shkak të eskalimit të dëmeve te këto ndërmarrje.