Rukiqi propozon modelin e Lituanisë për kafenetë në Prishtinë
Kryeqyteti i Lituanisë, Vilniusi, planifikon t’ua ofrojë hapësirën e vet publike kafeneve dhe restoranteve e qytetit për të funksionuar e në të njëjtën kohë duke ruajtur distancën fizike si masë parandaluese për shpërndarjen e koronavirusit.
E njëjta i është rekomanduar edhe kryeqytetit të Kosovës nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi.
Lituania ka regjistruar deri tash 1344 raste me koronavirus e 44 persona kanë vdekur. Shumica e kafeneve dhe restoranteve po funksionojnë me hapësirat e jashtme. Sallonet e ondulimit dhe të gjitha dyqanet tjera do të rihapen këtë javë si pjesë e lehtësimit të masave ndaj shpërndarjes së koronavirusit. Megjithatë, masa e distancimit mbetet në fuqi. Kafenetë e restorantet duhet të kenë tavolina me distancë dy metra njëra prej tjetrës. Kjo fillimisht shfaqi problem për restorantet për shkak të rrugëve të ngushta që e bënë të pamundshme pozicionimin e shumë tavolinave jashtë kafeneve e restoranteve. Tani ky qytet ka vendosur që të zgjerojë hapësirën duke thënë se “siguria publike mbetet prioritet, por masat duhet të ndihmojnë kafenetë të hapen, të punojnë, të ruajnë vendet e punës e të mbajnë gjallë Vilniusin”. 18 nga shumë hapësirat publike të qytetit janë hapur për kafenetë e restorantet, ndërsa më shumë se 160 pronarë biznesesh kanë aplikuar tashmë për leje.
Në një reagim lidhur me këtë artikull të botuar nga “The Guardian”, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi, ka thënë se kjo është ide fantastike për komunat, sidomos për kryeqytetin e Kosovës.
“Qe një ide fantastike për komunat, sidomos Komunën e Prishtinës. T’i jepet tërë hapësira e lirë publike, në shfrytëzim kafiterive dhe restoranteve, gjatë tërë verës dhe të mundësohet ruajtja e distancës sociale”, ka shkruar ai në Facebook.