Infektuar: 1052
Shëruar: 820
Vdekur: 30
Ministri i Financave flet për kreditë dhe stabilitetin ekonomik në Kosovë

Ministri i Financave flet për kreditë dhe stabilitetin ekonomik në Kosovë

Ekonomia April 08, 2020 - 21:24

Bisnik Bislimi, ministër në detyrë i Financave dhe Transfereve, ka shpjeguar masat që ka marrë Qeveria dhe ai për të siguruar stabilitet ekonomik.

Në emisionin “Desku” në KTV, ai ka treguar edhe për kreditë që Kosova ka aplikuar apo edhe që i janë aprovuar tashmë. Ka thënë se është bërë më shumë se maksimumi, jo vetëm për Pakon emergjente, por edhe për atë rigjeneruese që pritet të aprovohet në të ardhmen e afërt, pasi të kalojë pandemia e koronavirusit.

Po ashtu ka thënë se Qeveria në detyrë ka vendosur të rrisë huamarrjen vendore për 50 milionë euro për financim shtesë, që të sigurojë stabilitetin e Trustit Pensional në këtë kohë.

“Nga pjesa tjetër, nga kreditë dhe donacionet ne jemi në bashkëbisedim me Fondin Monetar Ndërkombëtar për kredinë që kemi kërkuar. Kjo kredi na shërben si urë për me kalu në financim te Bashkimi Evropian. Nga BE-ja kemi disa kanale të financimit, disa janë IPA grante, disa për intervenim makro-financiar nga të cilët mund të përfitojmë deri në 100 milionë euro. Kjo është shuma më e madhe që ka financuar ndonjëherë BE-ja një qeveri”, ka thënë Bislimi.

Ai ka treguar se 38 milionë euro do të jenë për sektorin privat dhe skemat sociale.

“Nëse ka një element që është mbështetur nga të gjithë të huajt, është adresimi i punëtorëve, qirave dhe skemave sociale. Ka ndihma direkte që i vijnë buxhetit si rezultat i progresit në reforma, janë diku 11 milionë euro. Pastaj është Banka Botërore me një financim deri në 69 milionë dollarë. Janë kredi, edhe ajo e BE-së prej 100 milionë eurove, që jepet me kushte të njëjta, të cilat qeveritë e shteteve të BE-së huazojnë në tregjet bankare evropiane, ato që kanë nivelin më të lartë të kredibilitetit – 3A, që i bie me interes gati zero”, ka shpjeguar Bislimi në emisionin “Desku”.

Ai ka treguar se ka edhe kredi tjera nga të cilat pritet të përfitojë ekonomia e vendit, si ajo e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës prej 35 milionë eurosh, pastaj ajo e Bankës Botërore prej 25 milionësh që shkon për fondin për garantimin e kredive.

“Kemi bërë më shumë se maksimumi me u siguru që do të ketë financim të vazhdueshëm, jo vetëm për pakon fillestare, por edhe për pakon tjetër të rigjenerimit. Ne kemi hapur një fond ku do të derdhen të gjitha mjetet, grantet, kreditë dhe donacionet në mënyrë që qytetarët të dinë origjinën, strukturën dhe projektet për të cilat ato përdoren”, ka shtuar Besnik Bislimi.