Rexhepi: Më të goditurit nga rëniet e Trustit do të jenë personat që hyjnë në moshën e pensionimit

Rexhepi: Më të goditurit nga rëniet e Trustit do të jenë personat që hyjnë në moshën e pensionimit

Ekonomia April 08, 2020 - 14:11
Valmire Maliqi/ Prishtinë

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Hashim Rexhepi, në një intervistë për “Zërin” ka pohuar se vendimet e këtij institucioni për prolongimin e kthimit të kredive nga kredimarrësit është marrë në përputhje me ligjin.

Sipas tij, nga BQK-ja me kohë janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore. Mirëpo zbatimi i këtyre masave, sipas Rexhepit, është në duart e bankave komerciale individualisht. Megjithatë, ish-guvernatori i BQK-së ka vlerësuar që edhe pse shumë individë dhe biznese që janë goditur nga kjo situatë nuk kanë aplikuar qoftë edhe nga arsyeja e mosinformimit ose mosmundësisë së lëvizjes, bankat komerciale kanë bazë të të dhënave për klientët e tyre e që sipas tij mund të gjejnë mënyrë të përshtatshme për zbatimin e këtij vendimi.

Zëri: A mund ta përballojë Trusti këtë lëkundje të madhe financiare dhe kush do të pësojë më shumë në rast se Trusti vazhdon me humbje të mëdha?

Rexhepi: Të gjithë e kuptojmë se situata me përhapjen e koronavirusit është shumë serioze dhe mund të përkeqësohet. Pjesa më e madhe e botës është prekur drejtpërdrejt, kjo nuk është më vetëm një çështje kombëtare ose rajonale - është problem global që kërkon përgjigje globale. Gjithashtu e dimë që përfundimisht koronavirusi do të tërhiqet, por nuk e dimë se sa shpejt do të ndodhë kjo. Prandaj është vështirë të parashikohet se sa të mëdha do të jenë lëkundjet financiare dhe se sa rënie do të kenë mjetet e Trustit. Sigurisht se më të goditur do të jenë personat që aktualisht hyjnë në moshën e pensionimit, sepse për ta humbjet do të jenë reale. Kurse grup-moshat me të reja do të goditen më pak ose fare për shkak se rikuperimi i kthimeve do të ndodhë pas daljes së ekonomisë nga kjo krizë./ZERI

Lexo edhe Rexhepi: Zbatimi i vendimit për kreditë varet nga bankat komerciale
Ekonomia April 08, 2020