1.6 milion euro import nga Serbia, mbi 112 mijë nga Bosnjë e Hercegovina
Foto: Laura Hasani

1.6 milion euro import nga Serbia, mbi 112 mijë nga Bosnjë e Hercegovina

Ekonomia April 08, 2020 - 13:20
Valmire Maliqi/ Prishtinë

Hiç më pak se 1.7 milion euro mallra serbe e boshnjake kanë hyrë në Kosovë nga 1 prilli i këtij viti. Qëkur është hequr taksa 100% për këto dy shtete nga qeveria në detyrë “Kurti” në pikën kufitare në Merdarë kanë hyrë me qindra mauna me mallra si të lëndës së parë, ashtu edhe të atyre komerciale. Megjithëkëtë njëjtë nuk ka ndodhur me mallrat nga Kosova në drejtim të këtyre vendeve. Nga fillimi i këtij muaji Kosova ka eksportuar mallra në vlerë 131 mijë euro drejt Serbisë, teksa drejt Bosnjë e Hercegovinës në vlerë 106 mijë euro. Edhe më tutje vazhdon të ketë një disproporcion të madh në mes të eksportit dhe importit të Kosovës me këto vende, shkruan "Zëri".

Pas heqjes së taksës më 1 prill të këtij viti Serbia filloi të eksportojë mallra për në Kosovë në masë të madhe. Vetëm për 5 ditët e para të këtij muaji nga Serbia janë importuar mallra në vlerë mbi 1.6 milion euro. Nga të dhënat që ka siguruar “Zëri”, vlera neto e këtyre mallrave arrin në mbi 6.2 milionë kilogramë.

“Importi nga Serbia në neto kap vlerën 6.255.746.16 kilogramë, ndërsa vlera e tyre është 1.627.481.96”, bëhet e ditur në këto statistika.

Ndërsa për sa i përket importit të mallrave nga Bosnja dhe Hercegovina, vlera e tyre kap shifrën në mbi 112 mijë euro, teksa vlera neto arrin në afër 279 mijë kilogramë. “Importi nga Bosnja dhe Hercegovina arrin vlerën neto 278.919.41 kilogramë, teksa vlera e tyre është 112.043.97 mijë euro”, bëhet e ditur më tutje aty.

Në total nga këto dy shtete nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë mbi 1.7 milion euro.

“Totali i importit nga këto dy shtete kap shifrën neto 6.534.665.57 kilogramë, teksa vlera e tyre është 1.739.525.93”, theksohet aty./ZERI

Lexo edhe Nga 1 prilli në Kosovë kanë hyrë 1.7 milion euro mallra serbe dhe boshnjake
Ekonomia April 07, 2020