Rukiqi: Pas pandemisë do të rritet kërkesa për të hyrë në punë të shtetit
Foto: Laura Hasani

Rukiqi: Pas pandemisë do të rritet kërkesa për të hyrë në punë të shtetit

Ekonomia April 07, 2020 - 14:29

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka qenë sot i ftuar në emisionin “Drive Time” me Arin dhe me Bernën në Radio Prishtina. Nga aty Rukiqi ka folur për krizën ekonomike, me të cilën pritet të ballafaqohet Kosova pas kalimit të kësaj situate, raporton “Zëri.info”.

Sipas tij, një ndër efektet do të jetë rritja e kërkesave për punësim në sektorin publik. “Pas kësaj gjendjeje do të ketë më shumë kërkesa për të hyrë në punë të shtetit. Kjo për shkak që kërkesat do të rriten dhe gjatë kësaj kohe sidomos është e vështirë, se brenda një familjeje ka diferenca mes punës në sektorin publik dhe privat. Kjo pasi që ata që punojnë në sektorin publik nuk e kanë shqetësim pagën ashtu siç e kanë ata që punojnë në sektorin privat”, ka thënë Rukiqi në Radio Prishtina.

Sipas tij, dy sektorët që do të preken më shumë nga kjo gjendje janë transporti dhe ndërtimtaria. "Kur të normalizohet situata, atëherë do të fillojë kriza, për shkak se njerëzit do të lëvizin sa më pak. Për shembull, në transport do të ketë krizë deri në fund të vitit. Pësime do të ketë edhe te sektori i ndërtimtarisë për një periudhë shumë më të gjatë kohore”, ka thënë tutje ai. // V.M. //ZËRI