Ja si do t’i përfitojë Kosova 160 milionë euro nga BE-ja

Ja si do t’i përfitojë Kosova 160 milionë euro nga BE-ja

Ekonomia April 07, 2020 - 12:08

Zëvendësministri në Ministrinë e Integrimit Evropian, Taulant Kryeziu, ka publikuar detaje në lidhje me ndihmën prej 160 milionë eurove që do ta përfitojë Kosova nga Bashkimi Evropian.

Kryeziu përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se në total 11 milionë euro pritet t’i përfitojë Kosova në buxhetin e saj si shpërblim për arritjen e treguesve të përkrahjes buxhetore sektoriale për reformën e administratës publike (IPA 2016) dhe menaxhimin e financave publike (IPA 2017).

Ndërsa 50 milionë euro pritet të ndahen si formë e përkrahjes për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit, që kryesisht shkojnë për sektorin privat, të cilat do të ofrohen nga programet “IPA 2019” dhe “IPA 2020”.

Tutje Kryeziu shton se Kosova, duke u bazuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kualifikohet për ndihmë makrofinanciare nga BE-ja, e cila jepet në rrethana të jashtëzakonshme për të ndihmuar stabilizimin e buxhetit të shtetit, sipas kushteve të përcaktuara në program të dakorduar ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. “BE-ja për këtë qëllim ka përmendur 100 milionë euro si mundësi për të përfituar nga ky instrument dhe pritet që kjo të konkretizohet brenda disa muajsh, shkruan ai.

Zëvendësministri në Ministrinë e Integrimit Evropian thotë se përveç kësaj ndihme të drejtpërdrejtë, tashmë BE-ja është duke investuar në projekte të mëdha, të cilat do të përmirësojmë zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë. “Mjafton të përmendim ndërrimin e filtrave të ‘Kosovës B’, me vlerë prej 78 milionë eurosh në kuadër të ‘IPA 2018’ dhe ‘IPA 2019’, që do të zvogëlojë ndotjen e ajrit në kryeqytet, investimet në ngrohjen qendrore po ashtu në kryeqytet me mbi 17 milionë euro, që pritet ta dyfishojnë kapacitetin e Termokosit, si dhe miliona euro investime në menaxhimin e mbeturinave në kuadër të ‘IPA 2020’. Të gjitha këto projekte do të krijojnë vende të reja të punës dhe përfitim për bizneset kosovare, që do të marrin pjesë në realizimin e tyre”, ka shkruar Kryeziu.