Remitencat mund të bien në nivelin e krizës ekonomike të vitit 2009

Remitencat mund të bien në nivelin e krizës ekonomike të vitit 2009

Ekonomia April 07, 2020 - 08:44

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka parashikuar rënie të të ardhurave dytësore në ekonominë e Kosovës, për shkak të pandemisë së shkaktuar nga sëmundja COVID-19.

Remitencat apo dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, sipas BQK-së mund të pësojnë rënien sikur në krizën ekonomike globale të vitit 2009.

Vëllimi i dërgesave të emigrantëve, sipas raportit vjetor të BQK-së të vitit 2009 ishte zvogëluar për 5.5 për qind duke shënuar rënie në 505.6 milionë euro nga 535.4 milionë euro, sa ishte në vitin 2008.

Në të njëjtën periudhë edhe ekonomia e Kosovës, sipas këtyre të dhënave, kishte shënuar rënie të rritjes ekonomike nga 4.5 për qind në 3.6 për qind.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, thotë se për muajin janar dhe shkurt nuk ka pasur rënie të remitencave, por që kjo rënie mund të vërehet në muajin mars ose prill.

Nga të dhënat e fundit të BQK-së për dy muajt e parë të vitit 2020, thotë Ahmeti, vlera e remitencave të dërguara ishte 123.7 milionë euro.

“Remitencat janë një nga kanalet që mund të preken për shkak të krizës pandemike. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10 për qind të Bruto Produktit Vendor në baza vjetore”, thotë Ahmeti.

“Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara, sidomos në ato vende ku tradicionalisht kemi pasur më së shumti dërgesa për shkak të numrit të madh të mërgimtarëve, mund të ndikojë në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë”, shton ai.

Më 2019 remitencat në Kosovë ishin 800 milionë euro

Lirim Krasniqi, hulumtues dhe analist i politikave në organizatën joqeveritare ‘Germin’, që merret me organizmin e diasporës, tha për Radion Evropa e Lirë, se remitencat do të shënojnë rënie, pasi që kjo situatë e krijuar ka prekur shumë sektorë të ekonomisë, ku emigrantët nga Kosova punojnë.

“Nga disa analiza që janë bërë jo për Kosovën, por për vendet tjera, vërehet që do të ketë një lëvizje prej 10 deri në 20 për qind të uljes së kapaciteteve financiare të diasporës në dërgesat ndaj vendeve amë. Kjo shkallë do ta prekë edhe Kosovën dhe pritet që në muajt e ardhshëm të kemi një ulje të remitencave”, thotë Krasniqi.

Që nga viti 2014, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar në vjetarin e Kosovës për vitin 2019, thuhet se remitencat kanë pasur trend të rritjes.

Në vitin 2019, vlera e remitencave ishte mbi 800 milionë euro.

Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Rënia e dërgesave nga diaspora, shton Krasniqi, do të krijojë probleme ekonomike dhe sociale në Kosovë.

“Kjo do të ndikojë në mënyrë direkte në fuqinë blerëse për konsumatorët kosovarë, pasi që ne e dimë se remitencat shpenzohen për konsum dhe familjet kosovare do të kenë një ulje të fuqisë blerëse dhe kjo do të ketë efekte zinxhiror në aspekte tjera të ekonomisë. Do të ketë pasojë jo vetëm në muajt e ardhshëm, por për një periudhë afatgjate”, thotë Krasniqi.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018, vlerësohet të jetë mbi 850 mijë banorë.