Nevoja urgjente e Kosovës për huamarrje të jashtme

Nevoja urgjente e Kosovës për huamarrje të jashtme

Ekonomia April 06, 2020 - 14:42

Tashmë nuk ka shumë paqartësi rreth çekuilibrimit të ndjeshëm të zhvillimeve ekonomike dhe vështirësive të shpërfaqura financiare si pasojë e pandemisë famëkeqe. Kosova që në muajin e parë po i ndien dhe po i “shijon” pasojat e koronavirusit: ndërprerje e detyruar e veprimtarisë së tyre nga shumë e shumë ndërmarrje private kosovare dhe për rrjedhojë humbje e shumë e shumë vendeve të punës, humbje të potencës financiare thuajse nga të gjitha ndërmarrjet dhe kompanitë private, por edhe nga ato publike, pamundësia e kthimit të anuiteteve dhe obligimeve të tjera huamarrëse e kështu me radhë. Tani edhe pse me parashikime, qofshin ato shumë pesimiste dhe të llogaritura jodetajisht, po vijëzohet një e ardhme tejet e zymtë për ecuritë ekonomike dhe financiare për Kosovën e brishtë. Shkurt, po parashihet që rreth 400 milionë euro më pak mund të ketë buxheti i Kosovës këtë vit për shkak të pasojave të pandemisë. Masat e Qeverisë për të tejkaluar pak a shumë prirjen e frikshme të pasojave nuk do ta ndryshojnë edhe aq gjendjen, përkatësisht tendencën e rënies rapide të ecurive ekonomike dhe financiare në vend, shkruan "Zëri".

Siç dihet, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë rreth 180 milionë euro për të ndihmuar bizneset në nevojë, kurse rreth 200 milionë euro të tjera pritet t’i hiqen buxhetit për shkak të shtyrjes së detyrimeve tatimore (buxheti i Kosovës për vitin 2020 është planifikuar të jetë 2.3 miliardë euro). Edhe shtyrja e këtyre detyrimeve është vendosur në kuadër të pakos për të ndihmuar ekonominë e vendit. Tani të gjitha këto po dihen, sikundër po dihet jo vetëm nga ekspertët dhe autoritetet vendimmarrëse për zhvillimet ekonomike dhe financiare se Kosova brenda një periudhe të shkurtër kohore do të mbetet keq për para. Kosova pra, siç po parashikojnë njohësit e rrethanave, diku kah qershori i sivjetshëm nuk do të ketë para edhe për përmbushjen e nevojave elementare. Prandaj, autoritetet vendimmarrëse të vetëdijshme për këto vështirësi të pritshme parashohin që këto para që do të mungojnë të sigurohen nga kursimet e buxhetit, nga grantet dhe nga kreditë ndërkombëtare.

E natyrshme se një shumë e parave që nuk do t’i ketë së afërmi Kosova do të kompensohet nga kursimet e buxhetit, që do të thotë se të gjitha investimet kapitale, që janë paraparë me buxhetin e këtij viti, do të ndërpriten. Paksa mund të ndihmojë gjithsesi edhe lëshimi i një shume të letrave me vlerë ose bonove të Thesarit. Mirëpo, kjo shumë e përfituar nga tkurrja ekstreme e investimeve kapitale dhe nga letrat me vlerë nuk do të mjaftojë as për së afërmi për të kompensuar mungesën e pritshme të parave.

Prandaj Kosovës nuk i mbetet tjetër alternativë, duhet doemos t’u drejtohet institucioneve monetare ndërkombëtare, në radhë të parë FMN-së, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për të siguruar ndonjë huamarrje brenda mundësive me kushte më të favorshme dhe me kamata më të vogla të mundshme. Një huamarrje e mirë nga këto institucione monetare ndërkombëtare do të lehtësonte vështirësitë financiare të vendit.

Kosova, gjithsesi, ka një përparësi jo të vogël për të kërkuar kredimarrje financiare nga jashtë, pasi nuk është edhe aq e ngarkuar me borxhe të jashtme. Me 1.2 miliard euro Kosova ka borxhin më të ulët në rajon. Nga kjo vlerë më shumë se 721 milionë euro llogaritet borxhi i brendshëm, kurse 409 milionë euro është borxhi ndërkombëtar kryesisht ndaj Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN).

Me fjalë të tjera, Kosova është ende larg vijës së kuqe sa i përket ngarkesës me borxhe të jashtme. Prandaj nuk duhet ngurruar fare për të kërkuar huamarrje të reja nga këto institucione. Madje duhet të jemi koshientë për domosdonë urgjente të kërkimit të kredive financiare nga jashtë. Për ta bërë këtë duhet pa humbur asnjë ditë të vetme vendimmarrësit të nisin punën e bërjes së kërkesave të mbështetura në nevojat reale, të bërjes së elabotateve sipas standardeve të huadhënësve dhe të detajuara deri në imtësi dhe duke ofruar garanci bindëse se asnjë cent i vetëm nga këto huamarrje nuk do të keqpërdoret në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë. Duhet bërë shpejt dhe pa humbur fare kohë këto punë, në mënyrë që kur të vijë dita kur Kosova nuk do të ketë para as për nevoja financiare elementare t’i ketë paratë e huamarrjes në dispozicion. Kërkesat e vonuara, përkatësisht të drejtuarit organizmave ndërkombëtarë monetarë për kredi në periudhën kur do të na mbisundojë kriza financiare është sikur të mos i dërgojmë fare këto kërkesa. Dihen procedurat e ligjshme të fondacioneve dhe të organizmave monetarë ndërkombëtarë sa të komplikueshme janë, sa të stërzgjatura dhe sa të vonuara. Këtë duhet ta kenë parasysh autoritetet e Kosovës. /ZËRI