Koronavirusi ka goditur sektorin privat, Kosova mund të futet në pandemi ekonomike

Koronavirusi ka goditur sektorin privat, Kosova mund të futet në pandemi ekonomike

Ekonomia April 06, 2020 - 08:13

Kosova ka hyrë në një situatë emergjente të luftës kundër koronavirusit, ku për shkak të izolimit është suspenduar edhe pjesa më e madhe e aktiviteteve ekonomike.

Pasojat ekonomike që mund të ndodhin në Kosovë si pasojë e koronavirusit janë të mëdha, sipas njohësit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai në një intervistë për "lajmi.net" ka thënë se Kosova, përveç koronavirusit, përballet edhe me probleme ekonomiko-sociale dhe me problemin e jostabilitetit ekonomik.

Tutje Gërxhaliu ka thënë se pas koronavirusit Kosova mund të futet në një pandemi ekonomike për shkak të problemeve të mëdha me të cilat do të përballet. “Duhet të kemi parasysh se Kosova është futur në krizë dhe derisa krejt vendet e botës luftojnë me pandeminë, Kosova ballafaqohet me 3 sfida shumë të mëdha, e para është koronavirusi, e dyta është problemi ekonomiko-social, që nuk është në nivelin e dëshiruar dhe e 3-ta ka të bëjë me jostabilitetin politik, që po e rëndon shumë më tepër popullatën sesa vetë frika nga koronavirusi. Është e vërtetë që nëse hyn në krizë, atëherë pasojat nga koronavirusi në aspektin ekonomik do të jenë shumë të mëdha, do të jenë aq të mëdha sa në Kosovë lirisht do të mundë të shpallet një pandemi ekonomike, sepse duhet një angazhim i të gjithë akterëve relevantë që të minimizohen pasojat e kësaj krize dhe ajo që është më shqetësuese është fakti se nuk kemi qenë të përgatitur për ballafaqimin e kësaj krize dhe në veçanti duhet të pranohet se meritën më të madhe për këtë qëndrueshmëri sociale, qoftë për shërbim me mallra, qoftë shërbime shumë më tepër i takon sektorit privat sesa strukturave politike në Kosovë”, tha Gërxhaliu për "lajmi.net".

Më tutje Gërxhaliu tha se sektori më i goditur është sektori privat, duke përmendur gastronominë, hotelierinë dhe ndërtimtarinë si tri sektoret që kanë pësuar më së shumti.

Ai tha se rënia e të hyrave nga ATK-ja dhe nga doganat është një problem shtesë në ballafaqimin ekonomik me pasojat që do t’i lërë koronavirusi.

“ Ju po e shihni që Kosova nuk mund të anashkalohet nga pasojat e kësaj krize. Parashikimet e ekspertëve janë që nivelin global rritja ekonomike e paraparë prej 2,6 për qind do të jetë e pamundur për t’u realizuar dhe parashikimet që Kosova dhe Ballkani Perëndimor do të ketë rritje ekonomike mbi 4 për qind përsëri do të jetë mision i paarritshëm. Në këtë drejtim Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta dhe sektori privat është më i godituri. Vetë fakti që kemi mbi 300 mijë punëtorë të punësuar në këtë sektor dhe nuk kanë garanci për paga është indikatori i parë i krizës dhe duhet të kemi parasysh se sektorët më të goditur janë ato si gastronomia, hotelieria, ndërtimi, transporti dhe deponimi dhe në këtë drejtim besoj që Kosovës i duhet një pako emergjente që në rend të parë përmes kësaj pakoje të arritet një ndihmë në aspektin social, por njëkohësisht një pako sociale që do të jetë një infuzion për sektorin privat që të rimëkëmbet dhe kur kësaj ia shtojmë faktin që edhe diaspora e Kosovës është e goditur që ka qenë shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë, atëherë mund të paramendoni cilat do të jenë sfidat dhe sa ka obligime Qeveria e institucionet e Kosovës që të gjejnë modalitete si t’i tejkalojnë këto pasoja”, tha Gërxhaliu.

Duke klikuar në linkun e mëposhtëm mund të lexoni të plotë intervistën me Gërxhaliun lidhur me situatën ekonomike në Kosovë, Pakon Emergjente të Qeverisë, buxhetin e Kosovës dhe rimëkëmbjen ekonomike.