Këto janë kriteret që duhet t`i plotësojnë bizneset për të përfituar nga Pakoja Emergjente

Këto janë kriteret që duhet t`i plotësojnë bizneset për të përfituar nga Pakoja Emergjente

Ekonomia April 04, 2020 - 16:06
Valmire Maliqi

Pas përballjes me pandeminë COVID-19, Qeveria e Kosovës ka marrë disa masa për t`u dal në ndihmë bizneseve. Kjo për t`u dhënë mbështetje financiare atyre dhe për të mos krijuar një situatë të rëndë ekonomike, shkruan “Zëri.info”.

Ndër këto masa është mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo deri në dyzet e një milion 41 milion euro. Për të përfituar nga kjo masë sipas ministrisë, bizneset duhet t`i plotësojnë këto kritere.

“Punëdhënësi, përmes sistemit elektronik EDI, duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK, më së largu deri më 15 Maj 2020; Punëdhënësi duhet të dëshmojë që veprimtaria e tij është ndikuar negativisht direkt apo indirekt nga situata e emergjencës shëndetësore me vendimet e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit COVID19, qoftë duke dëshmuar që vepron me njërin nga kodet e veprimtarive në aneksin A të cilave u është ndërperë puna me urdhëresë të MEPTINIS, duke deklaruar se si kanë ndikuar vendimet e Qeverisë në rënien e të hyrave të tyre, duke dëshmuar vështirësitë financiare përmes librit të arkës, bilancit bankarë dhe dëshmi të tjera të ngjashme; I punësuari mund të përfitojë vetëm nëse i njëjti, është i deklaruar si primar në listë pagesën mujore të punëdhënësit, për periudhën shkurt, 2020”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, përcjell “Zëri.info”.

Në anën tjetër ndër kriteret që duhet të plotësohet është edhe posedimi i llogarisë bankare nga bankat e licencuara nga BQK-ja.

“I punësuari, duhet të posedojë llogari bankare valide në një nga bankat e licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës; Kjo pagë për qëllime të tatimit do të konsiderohet si pagë primare; Kërkesat e dërguara nga punëdhënësit, do të shqyrtohen nga Komisioni i i përbashkët, i themeluar nga ATK dhe MEPTINIS, në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditë pune nga data e parashtrimit të kërkesës; Lista e të punësuarve të cilëve ju është aprovuar kërkesa për të përfituar nga kjo pikë, do të dërgohet nga Komisioni në Thesar; Thesari duhet të sigurohet që i punësuari mund të përfitojë vetëm një herë brenda një skeme një periudhe mujore”, bëhet e ditur nga ministria.

Ndërsa për punëdhënësit që kanë ekzekutuar pagën e marsit në tërësi pavarësisht gjendjes së rëndë financiare, 170 euro do të rimbursohen në llogaritë e tyre.

“Në rast se punëdhënësi ka ekzekutuar pagat e muajit Mars 2020, në tërësi edhe pse në vështirësi financiare, pjesa e pagës prej 170 euro për punëtorët do të kreditohet në llogarinë e punëdhënësit, si rimbursim i shpenzimeve, bazuar ne regjistrat e deklaruar ne ATK dhe verifikimeve shtesë që mund të mbështesin këtë deklarim. Në këtë rast pastaj paga e muajit Prill kreditohet në llogarinë e punëmarrësit. ATK do të publikoj udhëzime shtesë me detajet se si bëhet dorëzimi i aplikacionit, plotësimi i formularit dhe dokumentet shtesë; Mjetet në Masën 3a buxhetohen në MEPTINIS, në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve”, ka njoftuar ministria. /ZËRI

Lexo edhe Ja si do ta përfitojnë qytetarët socialin gjatë kësaj periudhe?
Ekonomia April 04, 2020