Mehmeti: Ekonomia në vitin 2020 do të shënojë rënie prej -2 për qind
foto: Laura Hasani

Mehmeti: Ekonomia në vitin 2020 do të shënojë rënie prej -2 për qind

Ekonomia April 03, 2020 - 11:21

Banka Qendrore e Kosovës sot ka mbajtur një konferencë për medie lidhur me zhvillimet në sektorin financiar pas paraqitjes së pandemisë COVID-19, raporton “Zëri.info”

Me këtë rast guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se për shkak të gjendjes sa i përket pandemisë ekonomia e Kosovës do të shënojë një rënie prej -2 deri në - 4 për qind.

Ai tha se momentalisht situata është stabile sa i përket sektorit financiar.

Mehmeti përmendi edhe disa nga masat të cilat i kanë marrë si BQK. “Me qëllim të zbutjes së pasojave ne si BQK kemi qenë shumë proaktivë, duke marrë një sërë masash që të sigurojmë një sistem financiar më stabil. Ne kemi marrë të gjitha masat për të siguruar një sistem efikas të pagesave. Kemi arritur që vendin ta furnizojmë me para të gatshme dhe dëshiroj të siguroj qytetarët se nuk do të ketë asnjë problem sa i përket furnizimit me para të gatshme. Ne kemi filluar edhe me dezinfektimin e parave të gatshme”.

Ai theksoi se Pakoja e miratuar nga Qeveria pritet të jetë injeksion i nevojshëm për fondet në ekonomi. Sipas tij, në situatën në të cilët po kalon ekonomia do të sfidohen edhe financat publike.

Mehmeti shtori se BQK-ja ka vendosur që për një periudhë të caktuar, për shkak të gjendjes së krijuar, të shtyhen pagesat për kredi. “Kemi rritje të raportit të likuidetit dhe nuk ka nevojë të ketë shqetësime. Pavarësisht krizës bankat vazhdojnë të jenë mirë. BQK-ja ka vendosur që të mos paguhen kreditë deri më 30 prill, por është lënë mundësia të zgjatet edhe më shumë”, tha ai./Zëri