Këta do të jenë përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale, lihen jashtë saj gazetarët

Këta do të jenë përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale, lihen jashtë saj gazetarët

Ekonomia March 31, 2020 - 10:33
Image

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar Pakoja Emergjente Fiskale me të cilën janë paraparë disa masa për të ruajtur thellimin e krizës në sektorin e ekonomisë, si pasojë e përhapjes së virusit COVID-19 në vend, shkruan gazeta “Zëri”.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Qeveria në detyrë ka miratuar këtë Pako e ku një ndër masat e parapara është pagesa e dyfishtë për të gjithë përfituesit e skemës sociale, e që buxhetit të shtetit pritet t`i kushtojë afër 8 milionë euro. Ndërsa pagesë shtesë në vlerë 30 euro për 3 muajt e ardhshëm janë ndarë për ata punëtorë që marrin pagesë mujore jo më shumë se 100 euro.

“Pagesa e dyfishtë e vlerës së skemës sociale për të gjithë përfituesit të skemave sociale për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë deri në shtatë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë mijë (7,650,000.00 €) euro, përfshirë këtu edhe pagesën e realizuar për muajin Mars. Pagesa shtesë në vlerë prej tridhjetë (30 €) euro në muaj për të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që marrin pagesë mujore në vlerë më të ultë se njëqind (100 €) euro, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, me kusht që të jenë përfitues vetëm të një skeme; si dhe rikthim në listat e përfituesve për përfituesit që për shkak të mos-paraqitjes apo mos-vlerësimit në periudhën Janar – Mars 2020, nuk u janë rinovuar të drejtat e tyre. Kjo masë është në vlerë deri në trembëdhjetë milionë euro (13,000,000.00 €)”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë së Kosovës, përcjell gazeta “Zëri”.

Mbështetje financiare Qeveria ka ndarë edhe për shoqëritë tregtare, për mbulimin e pagave për punëtorët me nga 170 euro si dhe për mbulimin e qirasë së objekteve deri në 50% të vlerës.

“Mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, si në vijim:

Mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej njëqind e shtatëdhjetë (170 €) euro, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo deri në dyzet e një milionë (41,000,000.00 €) euro. Subvencioni i qirasë deri në pesëdhjetë (50%) të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për muajin Prill dhe Maj, masë kjo në vlerë prej dymbëdhjetë milionë (12,000,000. 00€) euro; dhe mbulimi i vlerës së kontributeve pensionale për pagat lidhur me masat e parapara me këtë vendim për muajin Prill dhe Maj, deri në vlerë prej tetë milionë (8,000,000.00 €) euro”, njoftohet tutje në vendim.

10 milionë euro Qeveria ka marr vendim që t`i ndaj edhe për komunat e Kosovës, për shkak të luftës së vazhdueshme me virusin COVID-19.

“Sigurimi i huadhënies pa interes për ndërmarrjet publike që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, me qëllim të sigurimit të likuiditetit të përkohshëm të tyre, me kthim deri më 31.12.2020, në vlerë deri në njëzetë milionë (20,000,000.00 €) euro; Sigurimi mbështetjes shtesë financiare për Komunat e Republikës së Kosovës që janë ndikuar në përballje me pandeminë, në rast nevoje për shkak të zgjatjes eventuale të situatës së emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dhjetë milionë (10,000,000.00 €) euro”, theksohet aty, përcjell gazeta “Zëri”.

E pagesa shtesë pritet të përfitojnë punëtorët në terren dhe që kanë qenë të ekspozuar ndaj rrezikut me virusin, përfshirë këtu stafin mjekësorë, zyrtarët policorë, gardianët e Shërbimit Korrektues, zjarrëfikësitë e të tjerë.

“Sigurimi i shtesës mbi pagë në vlerë prej treqind (300 €) euro për punëtorët në terren dhe që janë të ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre (jo i gjithë stafi i institucionit): Stafi mjekësor (mjekët dhe infermierët), policët e Policisë së Kosovës, zyrtarët (gardianët) e Shërbimit Korrektues, zyrtarët (zjarrfikësit) e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, personeli (ushtarët) i FSK-së, punëtorët që punojnë në Karantinë - Qendra e Studentëve të Prishtinës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Punës, zyrtarët (inspektorët) e Administratës Tatimore të Kosovës, Zyrtarët (doganierët) e Doganës së Kosovës, zyrtarët (inspektorët) e Inspektoratit të Tregut, zyrtarët (inspektorët) e inspektorateve përkatëse komunale, zyrtarët e Inspektorati të Mjekësisë së Punës, për muajin Prill dhe Maj deri në vlerë prej pesëmbëdhjetë milionë (15,000,000.00 €) euro”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

Ndërsa me pagesë shtesë prej 100 euro pritet të paguhen punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive. Ndërsa me nga 130 do të kompensohen qytetarët që e kanë humbur vendin e punës gjatë kësaj periudhe.

“Pagesë shtesë në vlerë prej njëqind (100 €) euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe farmacive për majin Prill dhe Maj, në vlerë deri në tre milionë (3,000,000.00 €) euro;

Pagesa e asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130 €) euro për qytetarët që humbin vendin e tyre të punës për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik, për muajin Prill, Maj dhe Qershor, në vlerë deri në katër milionë (4,000,000.00 €) euro; Mbështetja e iniciativave dhe projekteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, që janë goditur më rëndë nga situata e emergjencës së shëndetit publik, në vlerë deri në dy milion (2,000,000.00 €) euro”, bëhet e ditur në njoftim, përcjell gazeta “Zëri”.

Në ndërkohë pavarësisht që ka pas thirrje të vazhdueshme nga Odat Ekonomike, mediat dhe anëtarët e shoqërisë civile, që edhe mediat të futen në skemat e pagesës shtesë nga ekzekutivi një e gjë e tillë nuk është marrë parasysh nga Qeveria. Ndërsa e tërë kjo Pako, Qeverisë së Kosovës i ka kushtuar 179.6 milion. /ZËRI