Pakoja emergjente, Rukiqi thotë së Kosova duhet ta shohë mundësinë për kredi afatgjate

Pakoja emergjente, Rukiqi thotë së Kosova duhet ta shohë mundësinë për kredi afatgjate

Ekonomia March 31, 2020 - 09:09
Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon emergjente, e cila synon të ndihmojë bizneset dhe qytetarët e dëmtuar nga situata e krijuar nga përhapja e pandemisë së virusit Coronavirus.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi në një intervistë tha për Ekonomia Online, se edhe vendet e huaja aplikojnë marrjen e  kredive deri në 12 muaj në këso raste, por kanë financime afatgjate.

Andaj sipas tij, edhe Kosova duhet të shoh mundësitë për financim nga institucionet ndërkombëtare dhe bashkëpunim me sektorin privat.

“Duhet të kemi një plan të qartë nga vijnë mjetet dhe si do të alokohen ato. Kjo nënkupton edhe mënyrën e marrjes së kredisë, institucionin financiar ndërkombëtar ose nëse është kredi borxh publik i brendshëm. Duhet të shohim se si alokohen ato mjete dhe maturitetin”, tha Rukiqi.

Kosova duhet t’i shohë këto mundësi edhe bashkëpunimin me sektorin privat për të parë efikasitetin që kërkohet.

“E shohim edhe në vendet e tjera, një pjesë e kredive janë 12 mujore, por në anën tjetër kanë financime afatgjate, apo financime të institucioneve financiare ndërkombëtare që janë deri 10 vjet ose 20 vjet”.

“Ne duhet t’i shohim këto mundësi e pastaj të shohim edhe bashkëpunimin me sektorin privat për të parë efikasitetin që kërkohet”, u shpreh ai.

Mes tjerash, Rukiqi tha se pas dëmit të krijuar nga Coronavirusi, do të ketë përgjysmim të normës së rritjes ekonomike.

Por, sipas tij për të tejkaluar këtë duhet të rritet borxhi publik i vendit.

“Projeksionet e rritjes ekonomike do të t’i kemi shumë konservative, duke vlerësuar dëmin që është krijuar. Do të kemi një përgjysmojnë të normës së rritjes ekonomike e kjo do të vërehet me efekte në buxhet dhe në likuiditetin e ekonomisë”.

“Për t’i tejkalua këto është më se  e nevojshme një rritje e borxhit publik i vendit qoftë i brendshëm ose i jashtëm”, tha Rukiqi.