Thellimi i krizës në ekonomi, rriten kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës

Thellimi i krizës në ekonomi, rriten kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës

Ekonomia March 30, 2020 - 13:23
Image

Përballja e Kosovës me virusin COVID-19, ka vështirësuar jetën e qytetarëve e sidomos të punëtorëve në sektorin privat, një pjesë e të cilëve kanë mbetur pa paga për këtë muaj. Kjo pasi që me përhapjen e virusit në vend dhe me marrjen e masave nga Qeveria e Kosovës, shumë biznese e pezulluan punën tërësisht dhe shumë prej tyre e reduktuan stafin, shkruan gazeta “Zëri”.

Për t`u dal në ndihmë këtyre bizneseve ditë më parë ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi njoftoi se masat e marra për mbrojtje nga koronavirusi e kanë penguar prodhimin dhe se ka rënie të aktivitetit ekonomik në tri kategori, tek qytetarët, komuniteti i biznesit dhe buxheti i shtetit.

“Kapaciteti është shumë i kufizuar dhe borxhi është i lartë për shkak të pa pagesave. Masat e Qeverisë edhe në aktivitetin ekonomik janë reflektuar me një automatizëm edhe te të hyrat doganore dhe tatimore nga 7.5 deri në 12.5%. Mund të ketë 200 milionë euro më pak të hyra”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në kuadër të pakos së masave emergjente që ka përgatitur MF-ja është përgatitur një raporti mbi gjendjen e ekonomisë pas përhapjes së pandemisë.

Bislimi ka thënë se synim nuk është kompensimi i të gjitha dëmeve, por minimizimi i tyre.

Ndër 13 pikat e prezantuara, Bislimi ka thënë se Qeveria do t’i kompensojë kompanitë për pagat të cilat ka propozuar të jenë në masën e pagës minimale prej 170 euro.

“Mbulimin e shpenzimeve për paga për ata që janë afektuar në masën e pagës minimale prej 170 euro për dy muaj në vijim, maksimumi i mjeteve të alokuara në këtë masë janë 41 milionë euro. Subvencionimin e qirasë deri në maksimumin e masës deri në 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për dy muajt e ardhshëm. Për punëtorët e ndikuar nga pika 1, që marrin atë pagën shtesë nga qeveria prej 170, qeveria merr përsipër edhe mbulimin e kontributeve pensionale për dy muajt e ardhshëm”, ka thënë ai para mediave.

Shuma e përgjithshme e kësaj pako është 170.6 milionë euro.

OEK i dërgon disa propozime Qeverisë për ta përballuar krizën në ekonomi

Oda Ekonomike e Kosovës ka shpalosur disa propozime që kanë të bëjnë me mbështetjen e sektorit privat në Kosovë. Në një konferencë për media ata i janë drejtuar Qeverisë së Kosovës, me disa kërkesa e që sipas tyre mund të kenë ndikim në minimizimin e krizës ekonomike në vend, pas përhapjes së virusit COVID-19, raporton gazeta “Zëri”.

“Të sigurohen pagat nga Qeveria për sektorin privat, për të gjitha bizneset, të cilat Qeveria me vendim numër 01/07 të datës 11.03.2020 dhe vendimet tjera pasuese ua ka ndërprerë veprimtarinë e tyre afariste, dhe këto biznese nuk mund të sigurojnë më të hyra për pagat e të punësuarve në sektorin privat. Pagat e punëtorëve të sektorit privat të paguhen në bazë të listës së pagave të të punësuarve të realizuara nga muaji paraprak përmes ATK-Trusti”, thuhet në njërën ndër kërkesat e kësaj Ode.

Poashtu nga ekzekutivi është kërkuar edhe heqja e shpenzimeve të qirasë së objekteve dhe poashtu pagimi i tatimit në fitim. Ndër kërkesat e OEK-ut është edhe krijimi i Fondit për mbështetje financiare.

“Të kompensohen nga Qeveria shpenzimet e qirasë së objekteve, zyrave, depove etj, të sektorit privat derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë për të filluar puna normale. Të paguhet nga Qeveria tatimi në fitim, për kuartalin e parë (TM1) dhe obligimet tjera tatimore për sektorin privat, derisa të ndryshohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të filluar puna normale. Qeveria të krijojë Fondin për mbështetje financiare -Pako stimuluese për sektorin privat”, thuhet ndër të tjera aty.

Ndërsa sipas Odës Ekonomike të Kosovës, Qeveria duhet që të zgjas me automatizëm afatin e operimeve të licencave.

“Të merret vendim nga Qeveria për shtyrjen e afatit të raportimit financiar në Këshillin për raportim financiar të Republikës së Kosovës në afat prej 3 muajve. Të prolongohen obligimet e kësteve të kredive për sektorin privat në afatin kohor prej tre muajsh, duke filluar nga data 1 prill deri më 1 korrik. Të zgjatet me automatizëm afati i licencave të operimit, të gjitha licencat të cilave u ka skaduar afati deri në marrjen e një vendimi tjetër. Të lirohen nga pagesat operatorët e transportit rrugor të udhëtarëve me rastin e vazhdimit të rendeve të udhëtimit nga MIA dhe të subvencionohet nga ana e Qeverisë regjistrimi i automjeteve transportuese për bartjen e udhëtarëve, mallrave si dhe makineritë e pajisjet tjera të sektorit privat, si dhe të lirohet nga akciza për derivate të naftës gjatë kohës sa zgjasin masat e Qeverisë. Të hiqet vendimi administrativ i kufizimit në tërheqjen e parasë së gatshme nga llogaritë bankare, komerciale e sidomos për institucionet financiare jo bankare nga BQK. ”, thuhet tutje në kërkesat e OEK-ut, përcjell gazeta “Zëri”.

OAK: Urgjent të ndahen mjetet për punëtorët e sektorit privat

Oda e Afarizimit të Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me ndarjen e mjeteve financiare për kompensim ndaj bizneseve dhe punëtorëve në sektorin privat. Sipas kësaj Ode është duke u bërë një segregacion në mes të të punësuarve, raporton gazeta “Zëri”.

“Oda e Afarizmit të Kosovës shpreh shqetësim për vonesat e marrjes së vendimit të ndarjes së mjeteve financiare për bizneset dhe punëtorët dhe kërkon nga Qeveria që ato të ndahen ashtu siç është propozuar nga ana e Ministrit të Financave ditë më parë me korigjimet e kërkuara. OAK konsideron se në rast Qeveria e Kosovës nuk merr vendim të shpejtë gjatë kësaj jave dhe nuk i ndahen mjetet punëtorëve dhe bineseve, Qeveria është duke bërë segregacion në mes të të punësuarve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e OAK.

Sipas tyre 70% e të punësuarve në sektorin privat të cilët nuk janë aktiv në punë gjatë kësaj periudhe i kanë marrë pagat para kohe, teksa ata të sektorit privat nuk e kanë marrë pagën ende.

“Arsye është se Qeveria ka ekzekutuar pagat për punëtorët në institucione një javë ma herët, me paga të plota edhe pse 70 % e tyre nuk janë duke punuar, ndërsa të punësuarit në sektorin privat të cilëve me vendimet e fundit të Qeverisë i është ndaluar puna ose e kanë reduktuar stafin, nuk kanë marrë pagë ende dhe nuk dihet se a do të marrin pasi që bizneset e kanë të pamundur që të mbulojnë këto shpenzime si rezultat i mos gjenerimit të të hyrave”, thuhet ndër të tjera në reagim./ZËRI