Infektuar: 1083
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Ministria e Bujqësisë shtyn afatet për zbatimin e projekteve përfituese të granteve

Ministria e Bujqësisë shtyn afatet për zbatimin e projekteve përfituese të granteve

Ekonomia March 23, 2020 - 11:31
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa ka bërë të ditur sot se për t`i përkrahur bujqit në këtë gjendje emergjente, i ka shtyrë përkohësisht afatet për implementimin e projekteve përfituese të granteve për vitin 2019, transmeton “Zëri.info”.

“Për të siguruar që bujqit dhe agropërpunuesit tanë të kenë më shumë mjete likuide për të punuar, kam kërkuar intensifikimin e realizimit të pagesave për përfituesit e granteve dhe subvencioneve, ku gjatë javës së kaluar janë realizuar pagesat për 1.702 përfitues në vlerë prej 2 milion e 456 mijë euro”, ka thënë Mustafa.

Masat që i ka marrë kjo ministri janë këto:

1. Drithërat, veçanërisht gruri dhe misri, që përbëjnë ushqyesit elementar për qytetarët, blegtorinë dhe shpeztarinë, do të vazhdojnë të përkrahen, duke i shtuar angazhimin tim personal që pagesat e subvencioneve në këtë drejtim të realizohen në afat rekord;

2. Do të rrisim subvencionet për 50% për prodhimin intensiv të perimeve në serra, për të siguruar më shumë perime të freskëta si domate, speca, tranguj, etj. për tavolinat e familjeve tona;

3. Që të rrisim të hyrat e shtetit nga eksporti, do të rrisim subvencionimin për 50% për mjedrën, si kulturë me potencial të madh eksportues;

4. Për të siguruar më shumë bulmet dhe mish, do të rrisim subvencionimin për 20% për lopë qumështore, dele, dhi dhe buallica;

5. Ndërsa për të ju dhënë familjeve tona siguri dhe higjienë në mishin e prodhuar në vend, do të rrisim subvencionimin për 50% për kafshët e therura në thertore të licencuara që zbatojnë standardet më të larta;

6. Për të mbrojtur ushqimin vendor nga fatkeqësitë natyrore, do të mbulojmë më shumë kultura bujqësore përmes skemës së sigurimeve bujqësore për të përfshirë, përveç mjedrës edhe rrushin, mollën dhe kumbullën.