Haki Shatri: Autostrada e Dukagjinit duhet të realizohet
Foto: Laura Hasani

Haki Shatri: Autostrada e Dukagjinit duhet të realizohet

Ekonomia February 25, 2020 - 16:05

Haki Shatri, ish-ministër i Financave, njëherësh edhe ish-këshilltar për çështje ekonomike i ish-kryeministrit Ramush Haradinajt, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë që projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit duhet të vazhdojë. Duke folur mbi shkëputjen e disa vendimeve të marra nga qeveritë paraprake, Shatri ka theksuar se asnjë projekt nuk duhet të ndalet pa u bërë analiza të thella, duke përfshirë kështu edhe projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Sipas tij, Qeveria e re në krye me Albin Kurti duhet të fokusohet në luftimin e disa faktorëve, që janë duke ndikuar në moszhvillimin ekonomik të Kosovës e që sipas tij janë duke ndikuar edhe në ikjen e investuesve të huaj nga Kosova. Për sa i përket synimit të ekzekutivit për rritjen e buxhetit në 3 miliardë euro, njohësi i çështjeve ekonomike theksoi se ende nuk është e qartë se për cilën pjesë të buxhetit bëhet fjalë. Sipas tij, nëse ky synim ka të bëjë me të hyrat buxhetore Qeveria do ta korrë këtë sukses qysh në vitin e parë të qeverisjes.

Zëri: Ju personalisht çfarë mendoni, a duhet të ndërtohet Autostrada e Dukagjinit me urgjencë apo duhet pritur?

Shatri: Unë mendoj që infrastruktura rrugore është një prej kushteve elementare të zhvillimit të një vendi në parim. Dukagjini është 40% e territorit dhe e popullsisë së Kosovës. Është pjesa më vitale edhe ekonomikisht, edhe si gjeografi. Do të thotë pjesa më pjellore e vendit, me begati e me popullsi vitale, me bjeshkë, me ujë, pra të gjitha pasuritë natyrore janë të përqendruara në atë pjesë, me përjashtim të thëngjillit. Iniciativa për të bërë një autostradë mendoj që ka qenë e mirë, duhet të realizohet. Krejt çka mua po më pengon është thjesht që sikur dikush më shumë për inat se pse dikush para nesh e ka bërë këtë projekt, sepse është i Dukagjinit dhe të rinjtë nuk janë të Dukagjinit, tash ndërrohet politika dhe se tani nuk duhet të realizohet ai projekt. Nëse dikush dyshon që nuk ka fizibilitet në realizimin e një projekti si Autostrada e Dukagjinit le t’i fillojë hulumtimet, le të bëjë analiza, sepse ka ekspertë dhe njerëz të gatshëm që ndihmojnë në punë, por mos të presin me sëpatë një projekt që është përgatitur të zbatohet. Kjo është përgatitur që të zbatohet për 5 vjet, e përshkon një fushë që është thuajse përgjatë gjithë Dukagjinit, nga Istogu në Prizren, me një variant që në të ardhmen të lidhet nga Istogu me 30-35 kilometra me Mitrovicën dhe në fakt Kosova me këtë projekt në një mënyrë e përmbyll projektin e ndërtimit të rrugëve më të nevojshme. Këto të tjerat janë të dorës së dytë dhe në ndërkohë mund të riparohen./ZERI

Lexo edhe Shatri: Për teka të ekzekutivit të mos ndërpriten projektet e qeverive të kaluara
Aktuale February 25, 2020